“Ne nuk jemi të mëdhenj as kur jemi bashkë”! Një lexim mes rreshtave, Rama kërkon vetëm tre pikësh

Nga Klaudio Ndreca

Politikanët e shohin gjithçka të mundshme dhe çdo situatë që kanë për të zgjidhur, si një lojë shahu ku duhet të fitohet me një lëvizje të vetme. Shumë kohë kishim pa parë kryeministrin tonë, Edi Rama, që të fliste për sportin dhe ja ku vjen rishfaqja…me skenën kryesore në “Ligën Unike”.

Fatmirësisht basketbolli e ka zyrtarizuar hapin e tij të bashkimit kombëtar, ku do të krijohet liga e përbashkët me ekipet nga Shqipëria dhe Kosova. Në një eveniment të tillë, nuk mund ta humbiste kurrsesi mundësinë pa mbajtur një fjalim edhe kryeministri Rama, në ngjarjen që kishte vëmendjen e gjithë shqiptarëve, ndërsa prapa tij qëndronte edhe koshi i basketbollit.

Pas çdo fjalie të përfunduar, misioni dhe qëllimi ishte për të realizuar një trepikësh. Në fakt politikanët e kanë përdorur gjatë gjithë këtyre viteve sportin duke ditur impaktin e madh që ka te njerëzit, si një armë nga ku mund të fitojnë më tepër pikë. Të gjithë e dinë mjaft mirë reagimin e qeverisë tonë në momentin që Kombëtarja e Shqipërisë mbërriti në Francë. Si heronjtë e një kombi u përcollën dhe u pritën, duke befasuar ndoshta edhe vetë pjesëtarët e saj. “Kaq shumë arritëm për ta merituar këtë?”.

Menjëherë sapo kuqezinjtë tanë nisën rezultatet negative me Panuçin, Shqipëria u kthye në një shembull krahasimi si modeli që nuk duhet ndjekur, pasi nuk duhet të mbash mirë gjithçka për pjesën më të madhe të kohës dhe ta pësosh në fund. Pra papritur heronjtë që u kurorëzuan nga vetë politikanët, i’u hoq kurora pasi nuk kishin më të njëjtin impakt.

Kosova ishte duke marrë rezultate fantastike në të njëjtën periudhë dhe menjëherë vëmendja e politikanëve të Shqipërisë zyrtare shkoi te dardanët. Gjithçka ishte e qartë pasi interesi u zhvendos atje dhe nuk kishte asgjë më tepër sesa kaq. Pasi edhe te Kosova nisën luhatjet e rezultateve, tashmë nuk po shohim me politikanët që të reagojnë për ndeshjet që zhvillohen kundër Kombëtareve të tjera, për kuqezinjtë apo dardanët. Ndoshta për futbollin kujtohen vetëm kur arrihet piku i lartë i suksesit dhe interesit, pasi në ditët e tjera, nuk e ndjekin futbollin.

Në mënyrë paradoksale teksa hidhej hapi i madh në basketboll dhe ku erdhi bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës, kur Rama mbante fjalimin deri diku edhe me mesazhe që transmetonin moral, futbolli nga ana tjetër është bojkotuar për një vendim që duhej të vijë…nga Kryeministri.

Kreu i këtij vendi u shpreh se nuk kishte asnjë letër zyrtare të klubeve profesioniste në Shqipëri, por një gjë e tillë është hedhur menjëherë poshtë. Në fakt edhe koha e pandemisë e dëshmoi qartësisht se me futbollin gjuha zyrtare nuk funksiononte. Në Kryeministri mbërrinin të gjitha letrat e mundshme, por “çuditërisht” jo ato që i dedikoheshin sportit, të cilat merrnin zgjidhje vetëm të fundit dhe komunikimi zyrtar për futbollin vinte nga rrjetet sociale, kryesisht “Facebook”.

Për të vazhduar edhe me historinë se futbolli është kthyer në fasoneri pasi punon në informalitet, ndërsa ky cilësim vjen në Shqipërinë tonë, për të mos e tepruar ndoshta me krahasimin si vendin më informal në Europë për të gjitha fushat.

E teksa Rama fliste për “Ligën Unike”, një fjali kuptimplotë duhet me patjetër që të shkëputet: “Ne nuk jemi të mëdhenj edhe nëse jemi bashkë, jo më të ndarë që jemi shumë të vegjël”. Mesazhi i bukur vjen për bashkimin në basketboll, por fatkeqësisht vjen si një zbukurim i fjalëve për t’u thënë vetëm në këtë rast. Pasi nga ana tjetër janë 10 krerë klubesh të Superiores që po lihen të ndarë dhe duke e ditur saktësisht sesa të vegjël mund të bëhemi në këtë mënyrë, në krahasim me Europën. Por futbolli i përket të gjithë shqiptarëve dhe rritja financiare e klubeve tona nëpërmjet ligjit të sponsorizimit që kërkohet të vendoset në fuqi, nuk është asgjë tjetër veçse një kënaqësi më e madhe shpirtërore për tifozët që ekipet tona të kenë më shumë sukses në Europë.

Kjo nuk është asgjë më shumë se talentet të rriten në vendin tonë dhe të mos e shohin daljen jashtë si zgjidhje, vetëm për shkakun se do të paguhen më mirë. Sa e lehtë të flasësh dhe sa e vështirë të zbatosh! Por ndryshimi i madh dhe era e re e vërtetë për shqiptarët do të fryjë në momentin që të ketë bashkëpunim sa më të madh për të forcuar njëri-tjetrin, për të plotësuar njëri-tjetrin për atë që kemi nevojë dhe për të mos buzëqeshur duke parë lëngimin e dikujt tjetër, një shqiptari tjetër, pasi nuk është pjesë e jotja. Bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës erdhi, nga futbolli mund të vijë më vonë, por vetë shqiptarët, kur do të bashkohen dhe të punojnë për të forcuar njëri-tjetrin? /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online