Pas përfundimit të sezonit, tashmë vijnë edhe vlerësimet për lojtarët. Është koha për të parë se çfarë kanë dhënë në fushën e lojës në këtë kampionat të çuditshëm. “Tuttomercatoweb” ka listuar 100 lojtarët më të mirë të Serie A për këtë sezon. Gjithçka bazohet në mesataren e notave të marra nga vetë lojtarët gjatë ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa këto të fundit duhet të jenë të paktën 16.
Lista kryesohet nga Imobile, ndërsa vend në të gjejnë edhe 3 lojtarë të Kombëtares shqiptare. Ai që renditet më lart prej tyre është Etrit Berisha, që mban vendin e 15, me një notë mesatare 6.44. Porta kuqezi duket në duar të sigurta, teksa në TOP100 shihet edhe emri i Strakoshës, që renditet i 56-i me një mesatare 6.21.
I fundit nga shqiptarët që e gjen veten më listën e “Tuttomercatoweb” është talenti që ka rënë në radarët e klubeve të mëdha italiane e europiane, Marash Kumbulla. Vendi i 75-të i takon mbojtësit të Veronës, që ka një notë mesatare 6.17. Një arritje e madhe kjo duke ditur moshën e tij dhe faktin se ky është sezoni i tij i parë në Serie A./Halit Delibashi-Sport Ekspres/