Tirana është gati që të bëjë edhe një zyrtarizim të tretë pas Avdijajt dhe Tolit. Largimi i Dokës te Gorica lë hapësira te bardheblutë që duhet të mbushen menjëherë, ndërsa koha nuk pret pasi do të zhvillohen edhe takimet e Europës. “Gol.mk” e ka dhënë të mbyllur marrëveshjen se bardheblutë kanë gjetur akordin me mbrojtësin e Vardarit, Kristijan Tosevski.
Ky i fundit do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me bardheblutë me mundësi rinovimi edhe për një vit tjetër.
Flitet për një nga lojtarët më të kompletuar në Maqedoninë e Veriut që ka arritur të fitojë Kupën me Pelister dhe kampionatin me Vardarin. Në këtë sezon të ndërprerë për shkak të pandemisë, Tosevski arriti që të zhvillonte 22 ndeshje ku shënoi 1 gol dhe dhuroi 5 asiste. Gjithashtu lojtari në fjalë ka mbajtur veshur edhe fanellën e Kombëtares së Maqedonisë duke premtuar zëvendësimin ideal të Albi Dokës. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/