Tapeti artificial i stadiumit është konsumuar shumë pas 6 sezonesh. Pas deklaratave të presidentit dhe shefit të klubit, në Kukës presin të nisin punimet
Jurgen Zela
Kukësi po zhvillon përgatitjet për sezonin e ri në Ohër, teksa do të kthehet në Tiranë në fund të këtij muaji. Kampionati do të nisë më 9 shtator, por kampionët do të zbresin në fushë 3 ditë më herët, për të synuar trofeun e parë sezonal, Superkupën, ku do të përballen me Tiranën. Më pas do të nisë rrugëtimi i mbrojtjes së titullit, ku në javën e parë Kukësi do të presë Kamzën në shtëpi. Nuk do të jetë aspak e lehtë, duke parë kundërshtarët, me Skënderbeun që tregoi muskujt në kupat e Europës, por dhe Partizanit, që synon me çdo kusht të rikthehet në “majë të Olimpit”. Sezonin e shkuar kuksianët kishin si një nga pikat më të forta stadiumin “Zeqir Ymeri”, ku në 18 ndeshje koleksionuan 15 fitore dhe 3 barazime.
STADIUMI – Edhe pse Kukësi ka qenë pjesëmarrës çdo edicion në Kupat e Europës, gjithnjë është detyruar që ndeshjet në arenën ndërkombëtare t’i zhvillojë në “Elbasan Arena”, pasi stadiumi i tij nuk përmbush kriteret e UEFA-s. Vetë presidenti Safet Gjici si në fund të sezonit të shkuar, ashtu dhe pak javë më parë, deklaroi se stadiumi i Kukësit do të jetë gati verën e ardhshme dhe ndeshjet e Europës të luhen në Kukës. “Zeqir Ymeri” i përmbush kushtet për të zhvilluar një ndeshje në Superiore, por tashmë është i detyrueshëm një rikonstruksion, qoftë dhe i pjesshëm.
TAPETI – Tapeti i stadiumit është me bar artificial, por pas 6 sezonesh gjendja është aspak e favorshme. Kukësi ka marrë sinjale dhe nga FSHF-ja se duhet të ndryshojë tapetin, që mund të jetë burim dëmtimesh për futbollistët. Pas deklaratës së shefit të klubit Jonuz Hallaçi pak ditë më parë, ku njoftoi se shumë shpejt se do të ketë punime, pritet me mjaft interes nisja e shtrimit të tapetit të ri. Kampionati do dhe 2 javë të nisë, megjithatë në Kukës nuk ka ende asnjë shenjë për punimet. Fakti që tapeti është artificial mund të dojë më pak kohë për t’u shtruar, por duke ditur se ndeshja e parë është në shtëpi, nuk duhet humbur kohë. FSHF e ka në fokus këtë situatë dhe nuk do të ishte çudi ta detyronte Kukësin të luante jashtë shtëpisë ndeshjen e parë, diçka që nuk do t’u pëlqente aspak kampionëve.
LOJTARËT – Shqetësim për gjendjen e terrenit të stadiumit kanë shfaqur dhe lojtarët, të cilët dëshirojnë që tapeti të zëvendësohet, pasi është rrezik për ndonjë dëmtim. Sezonin e shkuar, pas çdo ndeshjeje në shtëpi, lojtarët detyroheshin të bënin seanca fizioterapie, për shkak të kontraktimeve. Kjo situatë ka ardhur duke u degraduar, pasi kujtojmë që vetëm dy sezone më parë kolonia e brazilianëve që zbarkuan në Kukës u dëmtua në “Zeqir Ymeri, ndaj duhet ndërhyrë sa më parë