Shqipëria do të luajë në mbrëmjen e sotme kundër Italisë. Kuqezinjtë do të nisin kështu aventurën e tyre në EURO24 dhe për herë të parë në histori, pjesëmarrja nuk mjafton. Pavarësisht se kemi rënë në grupin më të vështirë të mundshëm, të gjithë besojnë se Kombëtarja është gati për të tejkaluar edhe rivalët me peshë të madhe si Italia, Kroacia dhe Spanja.
Një prej gazetarëve të “Sportklub”, të medias më të njohur në Kroaci, ka kërkuar që të zhvillojë një intervistë me ne para nisjes së grupit B dhe duke i paraprirë ndeshjes së dytë të grupit B, Kroaci-Shqipëri. Në një prej pyetjeve të bëra, ishte edhe ajo e pikës më të dobët që ka kjo Shqipëri.
Ndërkohë, përgjigja jonë ishte e qartë dhe e prerë: “Dobësia më e madhe e kësaj Shqipërie? Nuk guxoj as ta mendoj sepse kam frikë se dikush do të më lexojë mendjen dhe do e tregojë. Kurrsesi jo te kundërshtarët tanë. Kjo Kombëtare është kaq e bukur sa duhet të jemi të jemi të gjithë bashkë dhe të mos tregojmë dobësi. Për herë të parë ne shkojmë në Europian për të kaluar grupin dhe jo vetëm të marrim pjesë. Lojtarët tanë janë heronj këtu, tani nuk vishen më fanellat e Mesit dhe Ronaldos, por ato të Armando Brojës dhe Jasir Asanit”.
Në fakt, kjo është mënyra sesi duhet të funksionojë sistemi. Pak ditë më parë kemi bërë edhe një thirrje publike për të gjithë ish-futbollistët e Shqipërisë dhe specialistët e futbollit që jetojnë në shtete të tjera, për të mos treguar dhe folur hapur për çdo pikë të dobët të ekipit apo mentalitetit tonë. Sigurisht, jo se kjo do të sjellë humbjen tonë, por është një moment ku gjithëkush jep kontributin në fushën e tij për të mirën e përbashkët, atë të Shqipërisë. /Sport Ekspres/