“Në Kosovë mund ta quajnë tradhti të Shqipërisë”! Lorik Gashi ngre pyetjen për Silvinjon: A e mori Mirlind Dakun dhe Arbnor Mujën vetëm për t’i djegur?

Shqipëria ka publikuar listën e lojtarëve sa i përket dy takimeve miqësore në muajin mars. Ajo që bie menjëherë në vëmendje është fakti se Mirlind Daku dhe Arbnor Muja nuk do të jenë pjesë e kësaj liste. Në emisionin Koha Shtesë, kemi diskutuar me gazetarin dhe drejtuesin e emisionit Kampionët, me shqiptarin e Kosovës, Lorik Gashin. (Videon e plot të intervistës në Koha Shtesë rreth çështjes Mirlind Daku dhe Arbnor Muja, e gjeni më poshtë)

“Daku dhe Muja nuk janë pjesë e kësaj liste pasi ka shumë sulmuesë në formë te Shqipëria. Nuk e di, por Daku për mua duhej të ishte, Mujën e kuptoj deri diku për kalimin që bëri. Megjithatë këto janë vendimet e Silvinjos dhe që do të mësojmë më shumë nga fjalët e trajnerit nesër.

Në Kosovë mund të komentohet edhe si një tradhëti nga Shqipëria për këta futbollistë, se thjesht i dogji. Fakti që ngelën jashtë dhe që Kosova nuk mund t’i thërras më, a mund ta tregojë një gjë të tillë? Megjithatë kjo nuk do të thotë se këta lojtarë do të ngelin jashtë edhe për Europian.

Ka ende kohë për të bërë më mirë në klubet e tyre dhe për të merituar ftesën e Europianit. Por në Kosovë do të flitet në atë mënyrë sepse të paktën Daku erdhi me shumë pompozitet, me shumë deklarata edhe kundër pjesëtarëve të Kosovës që nuk e kishin grumbulluar më herët, për këtë arsye duhet të presim këto reagime”, tha Gashi. /Sport Ekspres/