“Abissnet Superiore” rikthehet në fundjavë, futbolli shqiptar kulmon me derbin e kryeqytetit

Java e 28 e “Abissnet Superiore”-s do të luhet e ndarë në dy ditë në këtë fundjavë. Ndeshja Erzeni-Laçi ngre siparin e elitës së futbollit shqiptar ditën e nesërme në orën 14:00. Më tej, në orën 17:00, do të luhen paralelisht dy përballje. Teuta pret Partizanin në “Niko Dovana”, ndërsa Egnatia udhëton në Korçë për t’u ndeshur me Skënderbeun.

Ndërkaq të dielën do të luhen dy sfidat e mbetura të javës së 28. Në orën 14:00 Kukësi do të sfidojë ekipin më në formë të momentit, Vllazninë, ndërsa në orën 17:00 java e 28 e “Abissnet Superiore”-s do të kulmojë me derbin e kryeqytetit. Tirana dhe Dinamo do të masin forcat me njëra-tjetrën, në një ndeshje mjaft të rëndësishme në rrugëtimin drejt ‘final four’-it. Të gjitha ndeshjet do të keni mundësi t’i ndiqni pa pagesë në ekranin e “MCN TV”-së./Halit Delibashi-Sport Ekspres/