Në Korçë ka sy nga e gjithë Europa

Kukësi dhe Skënderbeu kanë rivalizuar për titull në gjysmëdekadën e fundit. Përballjet mes tyre kanë qenë gjithnjë të zjarrta dhe sot nga ky takim mund të dalë kampioni i ri i Shqipërisë. Lojtarët kanë mundësinë që të japin më të mirën e tyre, në një ndeshje që mund të jetë reklamë për futbollin shqiptar. Ky takim është shans i artë edhe për futbollistët që të tërheqin vëmendjen e klubeve të huaja. Shitja e futbollistëve është një rrugë mjaft e mirë për t’i bërë klubet fitimprurëse. Korçarët kanë bërë transferime të bujshme këto vite, madje deri në shifrën e 1 milion eurove. Edhe Kukësi ka nisur që të shesë. Bakaj u transferua në janar dhe u përfituan rreth 120 mijë eurove, ndërkohë që Sindrit Guri është i shumëkërkuari te verilindorët. “Sport Ekspres” mëson se në stadiumin “Skënderbeu” do të ketë mjaft menaxherë, të cilët do të vëzhgojnë disa lojtarë nga dy skuadrat që ndodhen në majën e klasifikimit. Nuk flitet për emra konkret, por e sigurt është që në stadium do të ketë skaut nga Belgjika, Austria, Turqia, Zvicra dhe Kroacia. Një stimul dhe më i madh për lojtarët që të japin më të mirën e tyre, që më pas në dyert e klubeve të mbërrijë ndonjë ofertë e mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *