Milan-Juventus ka dhuruar spektakël të vërtetë në mbrëmjen e djeshme teksa ka përfunduar në shifrat 4-2. Deri në minutën e 60 ishin bardhezinjtë që kishin gjithë ndeshjen në kontroll duke mos i lënë asgjë kundërshtarit. Por duke nisur nga penalltia e akorduar në minutën e 62 për Zlatan Ibrahimoviç, kuqezinjtë shënuan tre gola për shtatë minuta dhe ndryshuan tërësisht paraqitjen e tyre, si me magji.
Nëse ky takim do të zhvillohej në Shqipëri, shifrat do të ishin të mjaftueshme që këtij takimi t’i vendosej etiketa: “E shitur, teatrale”. Në fakt me 6 golat e shënuara në 45 minuta, Seria A nuk e sheh një rast të dytë që të ketë kaluar edhe me përmbysjen brenda. Por futbolli prandaj është i bukur, pasi prodhon edhe rezultate të papritura, aty ku dyshimi nuk mund të vijë vetëm mbi bazën e shifrave të rezultatit.
Gjithashtu edhe mënyra sesi është mbrojtur trajneri Sarri pas ndeshjes ndaj Milanit të kujton edhe logjikën e Egbos pas humbjes ndaj Ballshit. ”Kemi bërë për 60 minuta një lojë të nivelit të lartë. Por papritur erdhi një errësirë e vërtetë dhe nuk e di se çfarë na ndodhi në ato 10-15 minuta. Mund ta pranoj një bllokim për shkakun e temperaturave të larta dhe faktin që po luajmë në çdo tre ditë”. Pra kalendari i ngjeshur dhe temperatura ishin dy pjesët kryesore që Sari preku si arsyet që e dërguan Juventusin drejt kësaj disfate, ashtu siç në fakt pretendoi edhe Egbo për prishjen e ekuilibrit të Tiranës në 45 minuta. /Sport Ekspres/