Nga Klaudio Ndreca
Në Greqi kanë nisur ta quajnë Enea Mihajn edhe si “farmacist”. Kjo pasi mbrojtësi i Shqipërisë vulosi fitoren e PAOK në shifrat 0-1 në transfertën e djeshme ndaj Olimpiakos, duke i gjetur kurën për të mposhtur kryesuesit që nuk njihnin asnjë humbje në kampionat. Fanella e Olimpiakosin e tërheq së tepërmi Mihajn pasi edhe në fitoren 3-2 të PAOK në Kupë, lojtari kuqezi do të fitonte penalltinë vendimtare.
Ndërkohë po aq e çudishme është se në takimet e tjera ka qendruar gjithmonë në stol, ndërsa kur trajneri Ferrera i beson në derbin më të zjarrtë të Greqisë arrin të bëhet “hero”. Pas golit të shënuar dje Mihaj ka vrapuar në të gjithë fushën duke treguar me krenari stemën e PAOK.
“E vërteta është se e pashë topin në këmbët e Semedo dhe menjëherë shkova të kërkoj shtyllën e dytë. E dija se topi do të shkonte atje dhe arrita të shënoja. Vrapova menjëherë ta festoj pasi ishin emocionet e një viti aty. Nuk ka qenë sezoni i lehtë për mua, madje më e vështira në karrierë, por dua të jap gjithçka nga vetja ime”, tha Mihaj. /Sport Ekspres/