Edhe ky sezon iku, do e harrojmë javën tjetër dhe do flasim për Kupën e Botës, natyrisht duke filluar të shohim edhe aty trukime e baste, sepse aty na punon mendja tërë ditën. Superiorja u mbyll në mënyrë të shëmtuar dhe fundi zakonisht njollos gjithçka, por pak rëndësi ka. Thuajse të gjitha klubet shqiptare e kanë nga një njollë edhe këtë sezon, askush nuk mund të hiqet si i ndershëm apo në rregull me ndërgjegjen, por nëse dikush ka të drejtë të ngrejë krye dhe të dalë nga tufa, ai është Luftëtari.
Klubi gjirokastrit ka bërë një mrekulli sportive këtë vit, duke shkuar edhe më larg se sezoni i shkuar. Nëse e bën një herë, mund të jetë rastësi, por nëse për dy sezone rresht i bën të gjitha si duhet, atëherë do të thotë që po punon mirë.
Një skuadër e mbushur me lojtarë të talentuar, që gjetën veten në Gjirokastër, në një kohë që askush nuk po u jepte besim. Abazaj, Bregu e Rroca, për shembull, para Luftëtarit ishin lojtarë që pakkush i donte në ekip. Luftëtari u dha besim, i bëri burra, janë gati për të luajtur në nivele të larta.
Financiarisht Luftëtari nuk ka pretenduar kurrë që të rivalizojë Skënderbeun me shokë. Presidenti Tavo nuk është më i pasuri në Shqipëri, por kot nuk thonë “më mirë të dish, se të kesh”. Ka gjetur lidhjet e duhura, ka pasur durimin që të mos e shkatërrojë skuadrën kur gjërat nuk kanë shkuar mbarë, ka qenë korrekt me futbollistët e stafin, edhe kur ndonjë vonesë e ka pasur, ashtu si në çdo klub në Shqipëri.
Merita e Tavos është që nuk ka bërë gjithçka vetë, si bëjnë disa presidentë, por ka besuar te shefi i klubit Gentian Nora, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme, edhe pse pakkush ia di vlerën. Jashtë vendit personat poshtë presidentit janë po aq të vlerësuar sa i pari i klubit, shihni rastin e Igli Tares te Lacio, ndërsa në Shqipëri për gjithçka përmendet vetëm bosi i madh dhe askush nuk mendon se në merkato mund të afrosh e largosh drejtues, qofshin ata nga qytete të tjera, apo edhe të huaj. E ka hedhur një hap gjigant në këtë drejtim Kukësi, me Nderim Nexhipin, por është vetëm një rast i izoluar.
Meritë e Tavos është edhe ndryshimi në momentin e duhur, sepse e kuptoi që eksperimenti me trajnerë nga Uruguai ishte një dështim. Trajnerë kemi plot, por duhet durim dhe qetësi. Hasan Lika i gjeti të dyja në Gjirokastër, pak nga pak e ktheu anijen në drejtimin e duhur, falë mbështetjes së klubit dhe klasit të skuadrës, edhe pse nga tribunat shpesh fluturonin ofendime, si zakonisht në Shqipëri.
Në fund, meritë e Tavos dhe Luftëtarit është që nuk u bë pjesë e llumit të marrëveshjeve të pista, e tolerimeve, e shokut dhe mikut, e basteve. Nga fillimi deri në fund, asnjë ekip nuk ka gojë të thotë që Luftëtari nuk ka qenë fair-play këtë sezon. Ka fituar në Shkodër dhe ka barazuar në Kamzë pikërisht në periudhën më të nxehtë të luftës për mbijetesë, tani askush nuk e drejton dot gishtin nga Gjirokastra, përkundrazi, ka pasur ndeshje ku tifozët kundërshtarë kanë brohoritur për Luftëtarin, si në Vlorë e Shkodër. Kjo po, është fitore që vlen sa kualifikimi në Europa League.