Futbolli shqiptar po shkon dalëngadalë drejt rikthimit në fushë. Data zyrtare për nisjen e stërvitjeve është ajo e 18 majit, megjithëse FSHF po punon për ta afruar këtë datë në një më të hershme. Protokolli sanitar për rifillimin e sezonit është gati dhe ka marrë aprovimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa mjekja imazheriste e Federatës shqiptare, e caktuar edhe në grupin e punës për të bashkëpunuar me qeverinë, ka dhënë më tepër detaje rreth masave që do të zbatohen nga klubet dhe lojtarët.
Në një prononcim për mikrofonin e “Top Channel”, Arjana Sina zbulon se si model është ndjekur ai i protokollit gjerman, i përshtatur më pas për kampionatin tonë. Ardhja në stërvitje me makinat personale dhe mos përdorimi i dusheve pas stërvitjes janë disa nga rregullat që do të ndiqen nga futbollistët shqiptar. Ndërkohë Sina jep edhe datën 1 qershor, kur skuadrat do të jenë gati për ta nisur edhe njëherë nga aty ku e kanë lënë.
“Mes dëshirës së madhe për të bërë dicka të mirë ka dhe disa protokolle që duhen respektuar. FSHF ka paraqitur një program shumë të mirë i marrë nga modeli Gjerman dhe i përshtatur për kushtet tona. Lojtarët do të vijnë me makinat e tyre në stërvitje. Zhvillimi i stërvitjes në distanca të pranueshme dhe mospërdorimi i dusheve pas stërvitjes.
Për sa i përket kontrolleve, do të kemi një dokument deklarimi përpara fillimit dhe në fund të stërvitjes ku janë listuar një listë shqetësimesh apo simptomash që lidhen me virusin COVID 19. Simptoma si temperatura, gjë që do matet edhe aty, ethet, kollë, apo probleme me frymëmarrjen.
Me aq sa kemi kuptuar, le të themi që në datën 1 qershor ose pak më parë, skuadrat do të jenë gati për të filluar kampionatin pasi do të kenë ezauruar stërvitjen individuale dhe atë kolektive”, ka deklaruar mjekja Arjana Sina./Halit Delibashi-Sport Ekspres/