Mungesa e rezultateve pozitive në kampionat dhe më së shumti mungesa e fitores në shtëpi në tre ndeshje që ka zhvilluar skuadra në Berat kanë qenë shkaku që Tomori të vendosë një masë ndëshkimore të paralajmëruar më parë nga ana e tyre.
Drejtuesit beratas kanë vendosur që të gjobisin skuadrën me 30% të pagës mujore, masë e cila u është bërë e njohur futbollistëve dhe është ekzekutuar qysh në rrogën e fundit mujore që u është hedhur futbollistëve në numrat e tyre të llogarisë.
Pas seancës stërvitore të ditës së mërkurë pasdite, të kontaktuar nga Sport Ekspres vetë futbollistët e kanë pohuar masën e dënimit, dhe megjithëse e kanë kundërshtuar parimisht atë duke mos rënë dakord me klubin, në heshtje nga ana e tyre është pranuar kjo masë, ndoshta dhe të shtyrë nga një ndjesi faji për shkak të mungesës së rezultateve.
MIQËSORE NË KËRKIM – Stafi teknik i Tomorit është vënë në kërkim të një ndeshje miqësore këtë fundjavë, dhe sipas asaj që ka konfirmuar zv/tekniku Klemend Agalliu, kanë nisur kontaktet me disa skuadra kryesisht fqinje, jo vetëm të Kategorisë së Parë, dhe pritet që prej tyre të vijë edhe një konfirmim pozitiv, me qëllim që fundjava e pushimit të kampionatit të shfrytëzohet në dobi të interesave të skuadrës, për t’u përmirësuar sa më shumë dhe më mirë në të gjitha aspektet përpara ndeshjes zyrtare ndaj Turbinës në shtëpi javën e ardhshme.
Edi Spahiu