Në gjithë vitet e kaluara në jetën e tij ka shpëtuar portën nga pësimi i golit, por në mbrëmjen e Beogradit do të shpëtonte simbolin e shqiptarëve. Teksa droni do të fluturonte në përballjen kundër Serbisë, nisi edhe konflikti i ashpër në fushën e lojës. Praktikisht ishin 30 shqiptarë kundër 30.000 serbëve dhe do të mbrohej me dinjitet simboli i Shqipërisë.
Orges Shehi ishte një nga lojtarë që luftuan me fort fizikisht, duke u etiketuar si një boksier i denjë për të na përfaqësuar. Me një shpejtësi të frikshme mbërriti nga stoli për të shpëtuar shokët e tij të ekipit nga disa tifozë serbë, pa harruar edhe ata që punonin për sigurinë e stadiumit. Asnjë lloj ndjenje frike për Shehin, që pas grushtave të shumtë që ka shkëmbyer në atë mbrëmje, mes sinqeritetit dhe emocionit shprehet për “Top Channel” se mendoi për mbylljen e karrierës.
“Ishim 30 veta përball 30.000 vetave, nuk po luhej më futboll dhe unë pata përplasje si gjithë të tjerët në fushë, ndaj mendova qe UEFA do merrte masë disiplinore për mua dhe do më duhej të mbyllja karrierën, e po mendoja çdo bëja me pas. Momenti kur pata vërtete frikë ishte kur do shkonim ne tunel, për t’ju drejtuar dhomave të zhveshjes, aty ishin mbledhur tifozët më të rrezikshëm dhe godisnin me sende. Kam fituar shumë trofe me klube dhe kam arritur nivele të mëdha dhe me kombëtaren po aq shumë telefonata sa pas asaj nate s’kam pasur kurrë në jetën time”, u shpreh Shehi. /Sport Ekspres/