Ndryshimet në stafin e Kombëtareve të moshave, Shkëmbi merr U-17 dhe Ahmati merr U-19

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të bëjë disa ndryshime në sektorin teknik. Departamenti i Komunikimit bën me dije se Kombëtarja U-17 do të drejtohet në vazhdimësi nga trajneri Bledi Shkëmbi, i cili më parë ka drejtuar ekipin kuqezi U-19, ndërsa Ardi Behari i cili mbante postin e trajnerit të Kombëtares U-17, tani do të jetë përgjegjës i sektorit të skautizmit në Federatën Shqiptare të Futbollit. Përgjegjës për drejtimin e Kombëtares U-16 do të jetë Fatjon Muhameti.

Ndërkaq, FSHF ka arritur marrëveshjen me trajnerin Julian Ahmati për të marrë drejtimin e ekipit Kombëtar U-19. Julian Ahmati është një trajner me eksperiencë pasi ka drejtuar disa ekipe në vendin tonë si Teuta, Luftëtari, Tirana, Skënderbeu dhe gjithashtu ka punuar edhe me ekipet e moshave. Ndërsa Erjon Stavri do të jetë koordinatori teknik i Qendrave Rajonale.

Në një prononcim për fshf.org, Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, shpjegoi ndryshimet në sektorin teknik të FSHF-së.

“FSHF ka bërë disa ndryshime në sektorin teknik. Përgjegjësi i ri i sektorit të skautizmit është Ardi Behari. Alban Bushi vijon të jetë në krye të Kombëtares U-21, ndërsa Julian Ahmati do të marrë drejtimin e Kombëtares U-19. Bledi Shkëmbi kalon te Kombëtarja U-17, Fatjon Muhameti merr drejtimin e Kombëtares U-16. Ndërsa Armand Dama vijon të jetë në krye të Kombëtares U-15. Erjon Stavri është koordinatori teknik i Qendrave Rajonale”, – tha Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea.