Skënderbeu do të luajë me një formacion ndryshe nesër ndaj Jang Bojsit në ndeshjen e fundit të grupit B të Europa League. Trajneri Ilir Daja, pas përballjes me Kukësin në kampionat, ka deklaruar se do të bëjë rotacion, pasi në fundjavë do të luajë një tjetër ndeshje të rëndësishme në kampionat, atë ndaj Laçit. Disa lojtarë kanë minuta të shumta në këmbë dhe kanë nevojë të çlodhen, ndërkohë që dihet strategjia e klubit, për të reklamuar ndonjë futbollist, tani që kualifikimi është i pamundur.
Dje, përpara nisjes për në Prishtinë, trajneri i Skënderbeut nuk e bëri të ditur formacionin zyrtar, por nga ajo që është parë në seancat e fundit stërvitore, ndryshime priten në qendër të mbrojtjes dhe në krahun e majtë të mesfushës. Ali Soue është mungesë e sigurt nesër ndaj Jang Bojsit për shkak dëmtimi, siç do të jetë mungesë e sigurt edhe Bruno Dita po për arsye dëmtimi. Duke parë situatën e ditëve të fundit, me shumë gjasa Skënderbeu do të luajë me këtë formacion: Shehi në portë, Vangjeli dhe Mici në krahët e mbrojtjes dhe Jashanica e Aliti në qendër, Osmani përpara mbrojtjes dhe Lilaj e njëri mes Takut dhe Muzakës në qendër të mesfushës, për t’u mbyllur gjithçka me Gavazajn dhe Sahitin pas krahëve të Xhejmsit në sulm. Ky pritet të jetë formacioni i korçarëve nesër në mbrëmje në Zvicër.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut
Shehi – Vangjeli, Jashanica, Aliti, Mici – Osmani – Taku, Lilaj (Muzaka) – Gavazaj, Sahiti – Xhejms