Kamza ka qenë surpriza më e bukur e këtij fillimsezoni në Superiore. Trajneri Ramadan Ndreu, me shumë mundësi, as në ëndrrat më të largëta nuk e kishte menduar se kjo eksperiencë do të ishte kaq pozitive. Numri një i stolit e sheh me të njëjtin pozitivitet edhe takimin e radhës kundër Partizanit. Ai beson se skuadra që drejton mund t’ia dalë me sukses. Këtë gjë Ndreu e ka shprehur edhe publikisht përmes mikrofonit të “Supersport”. “Partizani vërtetë nuk ka bërë paraqitjen e duhur, por është një skuadër që do vlerësim maksimal. Kamza, gjatë kësaj faze ka zhvilluar lojë të mirë, por ndaj Partizanit duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të marrë një rezultat pozitiv dhe ndoshta meqë mungon Tirana mund të quhet një derbi i vogël”. I pyetur në lidhje me pozitat e kolegut Juliano në krye të stolit të kuq, tekniku i Kamzës nuk preferon të flasë për këtë, por mendon për ekipin e tij, pavarësisht se ndjen keqardhje kur largohen trajnerët. “Që të jem i sinqertë, kur largohen trajnerët më vjen keq se kështu e ka kjo punë. Mendoj se mos ecuria e mirë e Partizanit mund të ketë ndonjë pasojë, por puna ime është që të mobilizoj skuadrën dhe t’ia bëj të qartë që kemi një kundërshtar shumë të fort përpara. Në bazë të paraqitjeve që kemi bërë deri më tani mendoj që jemi më afër fitores, sepse jemi të angazhuar dhe më të uritur për t’i marrë tre pikët”.
Plaku: Emocionuese, por jam profesionist
Në të njëjtën linjë me teknikun e tij është edhe sulmuesi Sebino Plaku, një kohësisht edhe një ish-futbollist i Partizanit. “Duke ndryshuar shumë ekipe, më ka rastisur të luaj kundër skuadrave ku kam luajtur. Do ta menaxhoj si profesionist edhe pse është emocion i veçantë, pasi luajmë përballë një ekipi me emër. Sidomos për pozicionin që kemi duhet t’i japim respekt kundërshtarit, për aq sa i takon, por të respektojmë edhe veten”. Për Plakun edhe fitorja nuk është mision i pamundur, pasi sipas tij mund të mposhtin edhe të kuqtë. “Situata është e tillë që po rivalizojmë me ekipe të tilla dhe duhet të luash edhe për ta fituar ndeshjen. Mendoj se e kemi mundësinë edhe momentin për të pretenduar fitoren. Gjithashtu mendoj se do të na favorizojë faktori fushë. Fitues do të jetë ekipi që ka më tepër qëndrueshmëri dhe më tepër vetëbesim dhe këto elementë aktualisht ne i kemi”, – përfundon Plaku.