Kamza ka marrë pikën e parë sezonale dhe e ka bërë në një prej ndeshjeve më të vështira të sezonit, kundër Skënderbeut favorit për titull. Skuadra e drejtuar nga Ndreu i ka dhënë me kohë sinjalet se do të zhvillojë një sezon pozitiv, por pika e marrë sot vlen shumë sidomos moralisht, siç e pranon edhe trajneri Ramadan Ndreu, duke folur pas ndeshjes në emisionin “Gol pas goli” në Supersport.
“Kemi marrë një pikë me vlerë më shumë morale, sepse përballë ishte skuadra e Korçës dhe lojtarët normalisht kanë ngarkesë të lartë psikologjike. Mendoj se jemi në rrugën e duhur. Nuk jam i kënaqur nga loja. E kisha përgatitur gjatë javës këtë ndeshje duke bërë të ditur që arma jonë është vendosja taktike dhe moslënia e hapësirave për kundërshtarin. Në pjesën e parë nuk e zhvilluam dot, gjithashtu as daljen e shpejtë në sulm. Ndeshja ishte në disfavorin tonë dhe mendova të hiqja lojtarë me tipare mbrojtëse për lojtarë që veprojnë mirë me topin”.
Ndreu e pranon se pa Plakun është e vështirë: “Skënderbeu ka skuadër të shkëlqyer pavarësisht ndryshimeve që kishte në formacion. Ne vuajtëm shumë mungesën e Plakut, pasi ndikon negativisht edhe psikologjikisht. Edhe dëmtimi i Idrizajt na dha pak probleme, por sidomos mungesa e Plakut sepse është lojtar i shpejtë.”
Ndoshta mund të bëhej diçka më shumë në aspektin sulmues, por Ndreu tregohet i matur: ““Nuk i kemi forcat e barabarta për t’i dalë ballë për ballë Skënderbeut. Edhe pas pësimit të golit isha me idenë që të mbroheshim mirë dhe ta kapnim kundërshtarin në kundërsulm, sepse me ekipet e mira mund të marrësh golin e dyte dhe të mbyllet loja.”
Kamza pësoi një gol të lehtë, që mund të evitohej: “E konsideroj mungesë eksperience. Kjo është diferenca në fushë me lojtarët me nivel të lartë dhe Skënderbeu ka shumë të tillë”.