Trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu, ka mbetur shumë i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij kundër Kukësit, përtej fitores së munguar, që ishte pranë. Ndreu lavdëron lojtarët e tij dhe nuk polemizon për arbitrimin, edhe pse goli i parë i Kukësit ishte i dyshimtë.
“Luajtëm mjaft mirë, përmbysëm rezultatin dhe jam i kënaqur në përgjithësi. Mund të fitonim, ishim duke luajtur shumë mirë, por pësuam një gol që nuk evitohej. Gjithsesi, po luajmë shumë mirë dhe më kënaq ajo që po bën skuadra. Plaku po tregon që është një sulmues i shkëlqyer, jemi shumë të kënaqur prej tij.
“Goli i parë i Kukësit? Nuk e kam parë ende aksionin të regjistruar, por nga fusha m’u duk faull. Megjithatë, në përgjithësi arbitrimi ishte i drejtë.
Kur kryesonim isha i bindur që do rezistonim mirë, por një gol nga distanca na theu dhe më pas skuadra u vendos edhe në vështirësi. Megjithatë, kam djem të shkëlqyer dhe profesionistë, po bëjnë gjithçka si duhet”.