Shqipëria U21 është duke u paraqitur mjaft mirë në kualifikuet e Europianit të kategorisë dhe të premten luan një ndeshje të rëndësishme të premten (ora 18.00, Selman Stërmasi), kundër Irlandës së Veriut, skuadër që e mundi në ndeshjen e vajtjes me një gol në shtesë.
Mesfushorët Emanuele Ndoj e Ylber Ramadani janë shfaqur sot para medieve, në konferencën për shtyp organizuar në Durrës, ku 21-vjeçarët janë të grumbulluar.
“Duam fitoren, pasi duam të kalojmë grupin dhe të shkojmë në Europian. Jemi përgatitur mirë dhe jemi të përqendruar te ndeshja me Irlandën. Uroj të fitojmë. Isha i dëmtuar në Kombëtaren e madhe dhe tani jam rikuperuar mirë. Jam te U21, jam mirë fizikisht dhe shpresoj të fitojmë me Irlandën. Po çdo ndeshje për një lojtar është mirë të luaje me përqendrim, është një test për të gjithë ne lojtarët e rinj. Uroj të bëjmë mirë”, deklaron Ndoj, i cili shpreson që loja e mirë të shoqërohet me rezultate: “Mund të kishim pasur më shumë pikë, pasi kemi demonstruar një lojë më të mirë se ekipet e tjera. Kemi luajtur topin, kemi pasur shanse për gol, kemi humbur shumë raste dhe tani urojmë të marrim pikë me Irlandën. Na mungon sulmuesi, por ne jemi krejt lojtarë të mirë dhe shpresoj të bëjmë gol dhe të fitojmë. Lojë të bukur kemi bërë gjithmonë dhe na ka munguar goli. Them se do ia dalim, pasi luajmë futbollin më të mirë, ata qëndrojnë vetëm në mbrojtje. Jemi ekip i mirë”.
Ndërkaq, mesfushori Ramadani do të luajë me Shpresat dhe më pas do të shkojë në Turqi, për miqësoren e kombëtares së madhe. Ylberi është i emocionuar: “Çdo lojtar e pret momentin të bëhet pjesë e Kombëtares së Parë. Një minutë, një minutë, është kënaqësi të jesh aty. Nuk do kursehem asnjë minutë, pasi është U21 që më ka dhënë mundësinë të shkoj te Kombëtarja A. Nuk do kursehem dhe pastaj do i bashkohem ekipi të parë. Kombëtarja shikon edhe të ardhmen dhe kjo është pozitive. Një grup i ri mund të mësojë si mund të shkohet në kualifikuese. Kemi lojtarë të mirë, por nuk kemi pasur fat. Çdo lojtar jep maksimumin për të shkuar te Kombëtarja e parë”. Për Shpresat: “Nga dita e parë që kemi ardhur këtu jemi të përqendruar ta marrim fitoren, jo fitoren me çdo kusht, por të hyjmë të bëjmë lojën tonë dhe në fund të fitojmë, pa pasur asnjë lloj euforie. Vendi i dytë? Mendoj se nëse fitojmë të premten kemi shanse të mira, pasi në këto kualifikuese kemi bëtë lojën më të mirë. Mendoj që të premten të fitojmë. Hakmarrje me Irlandën? Mendoj që po. Në atë ndeshje isha në tribunë. Nuk është revansh, janë tre rezultate, por mendoj se këtë ndeshje duhet ta fitojmë, pasi duam t’ia arrijmë si ekip. Ndeshja është në Tiranë, ndaj i ftoj shqiptarët anembanë të vijnë të në mbështesin të premten në orën 18:00”.