Ndodh për herë të parë! FSHF kërkon talente të reja te Shqipëria, i jep mundësinë e artë shqiptarëve në SHBA

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë për herë të parë një seleksionim me futbollistët e rinj shqiptarë, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Seleksionim do të zhvillohet në datat 20 dhe 21 maj 2023 në zonën e Nju Jorkut dhe është i hapur për të gjithë lojtarët, djem e vajza, që duan të provojnë veten me fanellën kuqezi.

Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF po punon prej disa muajsh për mbledhjen e të dhënave dhe përpilimin e listave të futbollistëve dhe futbollisteve që duan të marrin pjesë në këtë seleksionim, që zhvillohet për herë të parë në Amerikën e Veriut, ku ka një komunitet të madh shqiptarësh. Të pranishëm në këtë aktivitet, përveç përfaqësuesve të Departamentit të Ekipeve Kombëtare dhe skautëve të FSHF-së, do të jenë edhe anëtarë të stafit të ekipeve Kombëtare.

Me këtë rast u bëhet thirrje të gjithë të interesuarve që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj eksperience pasi afati i regjistrimit do të jetë i hapur edhe për disa ditë. Seleksionimet janë të fokusuara te lojtarët e vitlindjeve 2005-2006-2007-2008-2009, ndërsa aplikimet janë të hapura edhe futbollistet vajza pa kufizime moshe.

Për të marrë pjesë në seleksionime, të interesuarit duhet të dërgojnë disa të dhëna nëpërmjet adresës së e-mailit seleksionime@fshf.al ku të specifikojnë informacionet e mëposhtme:

– Emër mbiemër

– Datëlindje

– Pozicioni në fushë

– Ekipi ku aktivizohet

– Kontakt personal i lojtarit (numër telefoni)

– Adresa e e-mailit personal të lojtarit

– Adresa e saktë e e-mailit e klubit

– Uebi zyrtar i klubit

Aplikimet dhe të dhënat që do të vijnë me e-mail do të mblidhen dhe analizohen nga skautët e Federatës Shqiptare të Futbollit në SHBA së bashku me stafin teknik të FSHF-së e më pas lojtarët e përzgjedhur për të qenë pjesë e këtyre seleksionimeve do të lajmërohen nga Departamenti i Ekipeve Kombëtare për detajet e këtij organizimi.

Nisma e FSHF-së vjen si një rrjedhojë e kërkesave të komunitetit shqiptar në SHBA dhe rritjes së numrit të lojtarëve të perspektivës që jetojnë atje, djem e vajza, të cilët duan të provojnë shanset për të luajtur me ekipet Kombëtare të Shqipërisë. Synimi i seleksionimit është për të krijuar një ide më të qartë për elementët që duhen mbajtur në vëzhgim dhe me synimin për të afruar lojtarë të rinj në ekipet kombëtare të moshave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online