Me datë 18 shtator, Inter pret anglezët e Totenhemit në kuadër të ndeshjes së parë të fazës së grupeve të Champions Ligës. Zikaltrit rikthehen në kompeticionin prestigjioz mbas plot gjashtë vitesh. Ndeshja e fundit e Interit në Champions regjistrohet në vitin 2012, ku ata humbën përballë Marsejës.
Atmosfera në kampin zikaltër të Milanos është e shkëlqyer dhe interesi është maksimal, duke i bërë tifozët të mësyjnë drejt blerjes së biletave. Deri më tani janë shitur 60 mijë bileta për ndeshjen e parë. Sfida me Totenhemin mezi po pritet nga tifozët e Interit dhe mendohet që kjo shifër do të kalohet, duke sjellë mbushjen e plotë të stadiumit.
Një motiv më shumë për djemtë e Spaletit, të cilët duan të rikthehen me fitore në Champions dhe me një stadium të mbushur në kapacitetin maksimal, arritja e objektivit do të jetë më e thjeshtë.