Gjakrat mes SHBA-ve dhe Iranit janë ndezur përpara sfidës vendimtare mes tyre. Këto dy Kombëtare do të përballen me njëra-tjetrën nesër në orën 16:00 në një sfidë ku fituesi siguron një biletë për në fazën e 1/16-ve. Por në prag të kësaj ndeshjeje kaq të rëndësishme ka lindur tension mes federatave përkatëse.
SHBA-të kanë postuar një postim në faqen zyrtare në “Instagram“, në të cilin kanë shfaqur flamurin e Iranit pa simbolet islamike. Një veprim i tillë nuk është pritur mirë nga Federata e Iranit, që sipas mediave vendase ka bërë kërkesë në FIFA për të përjashtuar SHBA-të nga Kupa e Botës.
“Në një akt joprofesional, faqja zyrtare në ‘Instagram’ e Federatës së Futbollit të SHBA-ve ka hequr një pjesë të shkruar në arabisht nga flamuri iranian. Federata e Futbollit të Iranit ka dërguar një e-mail në FIFA, duke i kërkuar të vendosë një dënim serioz për palën amerikane“, njofron “IRNA“.
Ndërkohë pala amerikane është mbrojtur me argumentin se një veprim i tillë është bërë për të treguar mbështetjen për femrat iraniane, të cilat janë duke kërkuar të drejtat e tyre themelore. Një thyerje e tillë e rregullave të FIFA-s mund të sjellë një dënim deri në 10 ndeshje pezullim./Halit Delibashi-Sport Ekspres/