Artan Hoxha ishte i ftuar në “Procesi Sportiv” ku ka folur për finalen e Conference League. Teksa po diskutohej për masat e marra, është prekur edhe tema e kontrollit të rreptë që bëhet në vendin tonë për të garantuar sigurinë maksimale. Frika më e madhe e Hoxhës është mënyra sesi do t’i përgjigjet policia shqiptare dy tifozerive kundërshtare.
“UEFA ka organizuar finale edhe në stadiume më të vogla, në 2018 ishte Superkupa e Europës mes Realit dhe Atletikos në Tallin të Estonisë, në një stadium me vetëm 12.000 vende. Ajo që më ra në sy sot, që në aeroport, po vinin tifozë nga Itali kryesisht në moshën mbi 60 vjec, me bluzë dhe fanellë të Romës. Po vinin para pasi u hap panik që do të ishte e vështirë në Shqipëri për hotelet. Ne po e përdorim si reklamë, por të enjten do merret vesh si do të shkojë historia.
Frika e madhe e imja është te kontrolli dhe vonesat. Pashë në Rinas sot të 13 portat e hapura dhe ajo e emergjencës, me policinë që punonte të mos i vononte njerëzit. Ne mundohemi, por ngaqë kemi këtë frikën dhe jemi inferiorë me të huajt, kalojmë në masat ekstreme. I trembem mënyrës së reagimit të forcave tona policore që nuk janë mësuar me raste të tilla, duhet të kenë vetëpërmbajtje”, tha Hoxha. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/