Në një kampionat si ky i këtij sezoni në Superiore, nuk mund të flitej kurrë për shkëputje të skuadrave nga njëra-tjetra dhe objektiva të siguruar para kohe. I vetmi ekip që nuk ka pasur thuajse asnjëherë shpresa për të luftuar ishte Apolonia. Ndërkohë edhe Kukësi nisi të rrezikonte për një moment qëndrimin në elitë, me vendin e “Play-Out” që po i vinte si makth. Por fitorja ndaj Vllaznisë i ktheu qetësinë verilindorëve që kanë hedhur vështrimin nga sezoni i ardhshëm. Ekipi që ka surprizuar më tepër me formën e fundit në kampionatin shqiptar është padyshim Skënderbeu.
Korçarët janë ekipi që kanë grumbulluar më shumë pikë së bashku me Laçin në gjithë kampionatin, duke përmendur këtë 5 ndeshjet e fundit. Pra Skënderbeu ka marrë më shumë pikë se edhe vetë Partizani, Teuta dhe Vllaznia që kërkojnë titullin kampion. Ekipi i Memellit ka siguruar 11 pikë në 5 ndeshjet e fundit duke fituar 3 takime dhe barazuar në 2 të tjera. Ky transformim i madh i Skënderbeut ka ardhur falë meritës së këtij trajneri që nuk është dorëzuar për asnjë moment, madje edhe kur fundi ishte afër dhe shihej me sy të lirë. Nëse Skënderbeu do të fitojë ndaj Kukësit dhe Kastrioti humbet ose barazon me Bylisin, atëherë korçarët janë zyrtarisht të mbijetuar në elitën e futbollit shqiptar. Në fund duhet të ketë një medalje edhe për Memellin. /Sport Ekspres/