Burnley ka barazuar pa gola ndaj Everton në ditën e sotme. Armando Broja luajti nga minuta e parë dhe zhvilloi një performancë fantastike. Praktikisht i kthyer si më parë, fiton shumë duele, në ajër dhe në tokë. Vallëzon në driblime dhe e pamundur t’ia marrësh topin kur e ka në këmbë. Bëri gjithçka perfekte sot dhe prandaj trajneri e la për 87 minuta në lojë.
Futbolli është fat, për 87 minuta Armando Broja bëri gjithçka mirë, por nuk u shërbye dhe nuk kishte rast goli. Hyn Flemming në vend të tij dhe vetëm dy minuta më vonë del tek për tek me portierin Pickford dhe godet shtyllën, në një pozicion që duhej të ishte Armando Broja nëse do të ishte ende në fushë.
Kritika e vetme për Brojën sot është se nuk di ende ta ruajë veten. E fut këmbën në disa situata ku dëmtimi ka më shumë gjasa të ndodh sesa të mos ndodh. Sot për fat nuk ndodhi diçka e keq, por ishin 2-3 momente kur futi këmbën në disa duele që ishin si hedhje monedhe. Duhet të kuptojë dhe mësojë sesi të ruajë veten në disa momente, pjesa tjetër ishte perfekte, dukej i qeshur edhe pas ndeshjes, i lumtur me veten, kjo ka rëndësi. /Sport Ekspres/