Ndeshje e çmendur! Të gjithë e menduan të mbaruar, Argjentina bën përmbysjen e madhe kundër Egjiptit

Kampionia në fuqi, Argjentina, siguroi kualifikimin për në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi përmbysi në mënyrë dramatike Egjiptin me rezultatin 3-2 në një nga ndeshjet më emocionuese të fazës së 1/16-ve.

Egjiptianët e nisën sfidën në mënyrë perfekte dhe kaluan në epërsi në minutën e 15-të me Yasser Ibrahim. Argjentina pati mundësinë të barazonte, por Lionel Messi shpërdoroi një goditje nga pika e bardhë, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me avantazhin minimal të afrikanëve. Në pjesën e dytë, Mostafa Zico dyfishoi shifrat në minutën e 67-të dhe dukej se kishte vendosur fatin e takimit.

Megjithatë, kampionët e botës reaguan fuqishëm. Cristian Romero ngushtoi diferencën në minutën e 79-të pas një asistimi të Messit, ndërsa katër minuta më vonë vetë kapiteni argjentinas realizoi golin e barazimit, duke shlyer gabimin nga penalltia. Kur gjithçka po shkonte drejt kohës shtesë, Enzo Fernández shënoi me kokë në minutat shtesë dhe vulosi një përmbysje spektakolare 3-2.

Me këtë fitore, Argjentina vazhdon mbrojtjen e titullit dhe siguron një vend në çerekfinale, ku do të përballet me fituesin e sfidës mes Zvicrës dhe Kolumbisë. Ndërkohë, Egjipti largohet me kokën lart nga turneu, pasi zhvilloi një paraqitje shumë të mirë dhe ishte vetëm pak minuta larg një prej surprizave më të mëdha të këtij Botërori. /Sport Ekspres/