Tashmë është e sigurt: LeBron James do të jetë lojtar i lirë. Basketbollisti më i mirë në botë njoftoi klubin e tij Klivland Kavaljers se nuk do të zbatojë opsionin e kontratës për të vijuar bashkëpunimin edhe për sezonin 2018-2019, duke hequr dorë nga pagesa prej 35,6 milionë dollarësh.
Kjo bën që prej mëngjesit të së shtunës ai të nisë kërkimin për një skuadër të re, ndërsa në NBA-in amerikan do të hapet ankandi i ethshëm për të siguruar shërbimet e “Mbretit Xhejms”, ku për momentin janë të interesuara Los Anxhelos Lejkërs, Filadelfia, Hjuston Rokets, por edhe vetë Klivland.
Finalja e fundit e humbur me Kavaljers duket se e ka bindur të ndryshojë ambient. Në moshën 33-vjeçare, tashmë LeBron James do të kërkojë lavdi diku tjetër, pas dy titujve kampionë të fituar me Majemin dhe titullit që i dhuroi Klivlandit në vitin 2016. Suksesi i dy viteve më parë prishi mallkimin sportiv të qytetit dhe e bën edhe më të lehtë ndarjen nga vendlindja.
LeBron është sportisti i shtatë më i paguar në botë dhe në zgjedhjen e tij nuk do të ndikojë vetëm kontrata e re milionere. Xhejms dëshiron të vazhdojë të luftojë për trofe, lavdi dhe për të konfirmuar se mbetet basketbollisti më i fort në qarkullim.
Për momentin Kavaljers i ofrojnë kontratë të re 5-vjeçare me pagë mbi 207 milionë dollarë në total. Skuadrat e tjera i kanë vendosur në tryezë kontrata 4-vjeçare, nga të cilat do të përfitonte 152 milionë dollarë. Për momentin LeBron është me pushime, ndërsa të gjitha lëvizjet në NBA-in amerikan varen nga zgjedhja e tij. Bota e basketbollit pret të njohë vendimin e “Mbretit Xhejms”.