Historia shkruhet vetëm atëherë kur ka fakte dhe jo aludime… Ndaj, në Luksemburg, sonte, kanë nisur të përgatisin penën e artë, për ato rreshta që mund të përjetësoheshin, edhe pse nuk është thënë ende fjala e fundit, ose më saktë, kapitulli që do të mbyllte ecurinë e jashtëzakonshme e një skuadre që çdo vit përpiqet të realizojë një ëndërr e cila në dekadën e fundit nuk quhet më “utopi”, por diçka e mundur…
Përralla në fjalë është ajo e Dudelanzhit, kampionët e Luksemburgut, që duan t’I dhurojnë shtetit të vogël një gëzim të jashtëzakonshëm, aq sa sonte mundën kampionët e Rumanisë, Kluzh, me rezultatin e pabesueshëm 2-0…
Nën sytë e thuajse 3000 spektatorëve në “Josy Barthel Stadium”, stadiumi kombëtar dhe i liçencuar për të luajtur ndeshjet në Europë, kampionët e Luksemburgut kanë vendosur edhe një tjetër rekord në këtë ecuri europiane, duke e mbyllur për të parën herë një ndeshje pa pësuar gol.
Heronjtë e sfidës janë Turpel dhe Sinani (nuk është shqitar jo, por luksemburgez), teksa rumunët janë tronditur nga dëshira dhe grinta e Dudelanzhit, që i ka marrë “frymën”.
Megjithatë, në Rumani, Kluzhi mund të luajë një ndeshje të madhe, edhe pse sot u rimor konfirmimi se futbolli luksemburgez jo vetëm që është rritur dhe ka hedhur hapa gjiganti, por tashmë asnjë ekip shqiptar nuk duhet të ndihet me fat që në shortin e Europës do të përballet me një skuadër nga Luksemburgu… Jo më!
PS: një histori e shkurtër për Kluzhin… Javën e shkuar, presidenti futi hundët në formacion dhe i tha portierit veteran 36 vjeç se duhet të luante ish i Realit, Fernandes.
Veterani shkon dhe ia tregon trajnerit portugez Toni, që i irrituar, e aktivizon dhe nuk i përgjigjet presidentit… Kluzh fiton ndeshjen dhe pas ndeshjes, portieri veteran pushohet nga puna, duke u skualifikuar. Histori shqiptare!