Napoli befason Liverpulin, Dortmund dhe Atletiko pa rivalë

Lorenco Insinje në fundin e kohës së rregullt. Goli i sulmuesit italian i mjaftoi Napolit për të thyer Liverpulin, me skuadrën e Ançelotit që regjistroi fitoren e parë në këtë edicion të Champions League. Një sukses i jashtëzakonshëm për “të kaltërit”, përballë një prej skuadrave favorite për të fituar Grupin C.

Në ndeshjen ku trajneri Ançeloti vendosi të linte në stol kuqeziun Elseid Hysaj, Napoli e vendosi gjatë gjithë ndeshjes në vështirësi Liverpulin, duke i’u afruar golit në disa raste me Insinjen, Milik, Fabian Ruiz, Kalehon apo Mertens, i cili u frenua nga traversa.

Megjithatë goli i triumfit erdhi vetëm në fund dhe italianët marrin kreun e grupit me 4 pikë, duke lënë pas Liverpulin dhe Paris Seint Zhermen, që më parë shkatërroi Crvena Zvezdën, me rezultatin 6-1 në “Park des Princes”, me Nejmar që ishte protagonist absolut me tre gola të realizuar, ndërsa për francezët shënuan edhe Kavani, Di Maria dhe Mbape.

Janë luajtur vetëm dy ndeshjet e para, por në Grupin A duket se janë zgjidhur të gjitha misteret. Jo se kishte dyshime, por edhe më optimistët që besonin te surprizat, morrën si përgjigje se Atletiko e Madridit dhe Borusia e Dortmundit nuk kanë rivalë.

Madrilenët kaluan 3-1 Klub Bryzh, falë lojtarit të tyre më të mirë: Antua Grizman. Ylli francez realizoi dy gola në suksesin “cholchoneros”, ndërsa barazimi i përkohëshëm me Groeneveld nuk i mjaftoi belgëve, që të hedhur në sulm me synimin për të evituar humbjen, pësuan edhe golin e tretë nga Koke, në minutën e katërt të shtesës.

Një shëtitje edhe ajo e Borusia Dortmund përballë Monako, me gjermanët që fituan 3-0. Klubi nga Principata rezistoi vetëm një pjesë loje, pasi pjesa e dytë foli e gjitha për gjermanët. Te verdhezinjtë shënuan Larsen, Pako Alkaser pas asistit të Rojs, me spanjollin që i ktheu nderin shokut të skuadrës, duke i dhënë edhe Rojs kënaqësinë e golit.

Me këto rezultate, Borusia Dortmund dhe Atletiko Madrid kryesojnë me gjashtë pikë të plota, ndërsa Klub Bryzh dhe Monako do tu mbetet vetëm beteja për biletën në Europa League.

Në Grupin D, Porto fitoi 1-0 me Gallatasarajin, me golin e fitores të shënuar nga Marega në minutën e 49-të. Më parë në këtë grup, Shalke fituar 1-0 në Moskë, përballë Lokomotivës, me golin me vlerë tre pikësh, që u realizua nga MekKeni.

Grupi A
Atletiko Madrid-Klub Bryzh         3-1
Grizman 28’, 67’, Koke 90’+4’/ Groeneveld 39’

Borusia Dortmund-Monako        3-0
Larsen 51’, Pako Alkaser 72’, Rojs 90’+2’

Grupi D
Porto-Gallatasarai            1-0
Marega 49’

Grupi C
Napoli-Liverpul                 1-0
Insinje 90’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *