Ditët e fundit në Belgjikë është ndezur debati nëse ishte e drejtë që Raxha Naingolan të mbetej sërish jashtë kombëtares, ashtu si në Botërorin 2014. Mesfushori vjen nga një sezon i shkëlqyer me Romën, por trajneri Roberto Martinez nuk e shihte as si rezervë, duke marrë një vendim që e dëshpëroi pa masë Naingolanin, i cili e cilësoi “vjedhjen e një ëndrre fëmijërie”.
Në Belgjikë ka pasur shumë polemika për këtë vendim, aq sa shumë tifozë kanë propozuar bojkot ose heshtje për ndeshjen e ardhshme miqësore të Belgjikës.
Ndërkaq, trajneri spanjoll i Belgjikës, Martinez, ka dhënë një shpjegim paksa anormal, kur është pyetur për mungesën e Naingolanit të paktën në listën e përkohshme me 28 lojtarë.
“Në kombëtare marr lojtarët më të mirë dhe të vlefshëm, jo thjesht emra. Do ishte tepër e thjeshtë të merrnim ata që kanë qejf njerëzit dhe të bënim ç’të donim”.