Kaljari, klubi nga ishulli i Sardenjës që militon në Serie A, ka pasur një merkato janari si kurrë më parë. Mbas blerjes së mesfushorit të Kievos Valter Birsa, në Sardenjë kanë konkretizuar një tjetër afrim të bujshëm.
Bëhet fjalë për mesfushorin e Boka Zhuniors, Nahitan Nandez. Futbollisti i Boka Zhuniors prite të mbërrijë në ishull gjatë ditëve në vazhdim. Për të blerë kartonin 23-vjeçarit nga Uruguai, drejtuesve të Kaljarit i është dashur të shpenzojnë 21 milionë euro, një shumë kjo sa dyfishi i blerjes rekord të klubit, që mbahej deri më tani nga sulmuesi Pavoleti, që u ble për 10 milionë euro nga Napoli.
Ky shpenzim relativisht i shfrenuar e ka një shpjegim. Kaljari pritet të shesë mesfushorin e talentuar, Nikolo Barela. Për shërbimet e 21-vjeçarit interesohen Çelsi, Napoli dhe Interi. Nga shitja e italianit, klubi nga Sardenja do të përfitojë të paktën 40 milionë euro.