Naftëtari i fal të gjithë: “Falas, largohuni!”

Edi Spahiu

Menjëherë pas përfundimit të sezonit kaluar, nga ana e drejtuesve të Naftëtarit është dhënë një deklaratë që kishte të bënte me futbollistët e kësaj skuadre, të cilët në mbyllje të kampionatit ishin shpallur fajtorë për dështimin dhe të padëshiruar.

Deklaratën e dhënë nga drejtuesit më të lartë shumë pak e morën seriozisht në qytetin e Kuçovës dhe kjo për arsye sepse të gjithë mendonin se ajo deklaratë është dhënë në inat e sipër. Por, tani kur kanë kaluar plot dy muaj pas kësaj deklarate, dhe në një moment kur dhe ka nisur merkato e verës, duket se gjithçka ka qenë mëse serioze.

Kjo kuptohet edhe nga një tjetër deklaratë më e fundit që ka marrë Sport Ekspres nga ana e presidencës së Naftëtarit, ku më konkretisht është kryebashkiaku Selfo Kapllani ai që konfirmon spastrimin total.

KAPLLANI – “Ne i qëndrojmë stoikë deklaratës sonë të mëparshme të pas përfundimit të kampionatit kaluar dhe madje në këto momente unë do të them vetëm se largimi i të gjithë futbollistëve që dështuan sezonin e kaluar, është bërë jo vetëm shumë imediat për ne, por edhe se çdo skuadër që do ti kërkoj ata, mund të vijë dhe ti marrë falas. Nuk u kërkojmë asnjë detyrim atyre, vetëm e vetëm që të largohen, duke mos u shkuar mëndja se do të jenë ndonjëherë pjesë e Naftëtarit”, ka mbyllur presidenti i kësaj skuadre, dhe në të njëjtën kohë edhe kryebashkiaku i Kuçovës, Selfo Kapllani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *