Mund të duket e pabesueshme, por është mëse e vërtetë. Një trajner pasi ka dështuar në drejtimin e skuadrës, të cilën e ka drejtuar për një sezon të plotë futbollistik në Kategorinë e Parë.
Plot dy muaj pas përfundimit të kampionatit, jo vetëm që nuk pranon kurrsesi që të japi dorëheqjen pas dështimit, por në të kundërt po punon që t’i japë jetë një projekti të ri për të drejtuar sërish skuadrën edhe në sezonin e ardhshëm, dhe aq më keq në kategorinë inferiore.
Bëhet fjalë për trajnerin Barjam Fraholli të skuadrës së Naftëtarit, të cilin më së shumti e identifikojnë në qytetin e Kuçovës si një trajner që dështoi totalisht sezonin e kaluar, por edhe më parë.
Specialistë, por edhe futbollistë vendas, kanë kërkuar hapur dorëheqjen e tij tek kryebashkiaku i Kuçovës Selfo Kapllani, i cili për shkak të detyrës, duke qenë edhe në detyrën e presidentit të skuadrës, duket shumë kokëfortë dhe po i bën pothuajse karshillëk specialistëve dhe sportdashësve vendas, duke vendosur hapur “veton” e tij dhe mban në detyrë teknikun Fraholli
Fantazia e teknikut Fraholli ka shkuar deri aty sa që është duke ëndërruar edhe një ndryshim të strukturës në Kategorinë e Parë dhe të shpresojë që me shtimin e mundshëm të skuadrave në të dy grupet, të përfitojë edhe Naftëtari, të cilin Fraholli shprehet se do ta drejtojë sërish në Kategorinë e Parë. Kjo është situata momentale në futbollin kuçovar, kur edhe pse trajneri ka dështuar duke e rrëzuar skuadrën në kategorinë e dytë, me këmbënguljen e çuditshme të tij dhe me mbështetjen e kryebashkiakut-president, po qëndron në krye të skuadrës.
“Kësaj i thonë të këmbëngulësh si mushka, pasi me këtë dështim po cenohet jo thjesht figura e këtij trajneri që është shumë larg emrit të tij të njohur si futbollist, por edhe vetë futbolli kuçovar të cilit nuk i mungojnë specialistët, por në Kuçovë të gjithë e dimë se edhe një vit kalendarik deri në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor, do të durojmë si Barjam Frahollin, ashtu edhe vetë kryebashkiakun në ikje, Selfo Kapllanin”, është shprehur për Sport Ekspres një prej emrave të njohur të trajningut në qytetin e Kucovës, i cili për arsye objektive ka kërkuar që ti ruhet anonimati për këtë rast.
Edi Spahiu