Largimi i trajnerit të kombëtares, nga këndvështrimi i një tifozi: Joner Nikolla na shkruan…
Na fal, Gianni!
E mbaj mend si sot 14 dhjetorin e 2011 kur morëm vesh lajmin se trajneri ynë i ri do të ishte një farë italiani, një Gianni De Biasi. Te gjithë filluam të kontrollonim në internet CV-në e tij, më pak e pasur se e Kuzhes me shoke, gjë qe ia shtonte zymtësinë ideve tona. “Trajneri i radhës qe ka ardhur për të mbushur xhepat dhe të largohet”- mendova. Por sa gabim e kisha! Këtë e kuptova që në miqësoren e parë, më 29 shkurt, ku pashë një gjeneratë të re lojtarësh dhe një trajner plot energji e pasion. Nuk pati frike të spastronte një brez dhe t’i jepte kombëtares fytyrën e tij. Kombëtarja filloi te përballej denjësisht me kundërshtarët e vet dhe pavarësisht problemeve klasike, kishte filluar të ndërtonte një stof më të besueshëm në sytë e njerëzve. Sigurisht,të gjithë u zhgënjyem nga fundi i atyre eliminatoreve, po net si ato të Oslos kanë mbetur në mendjen e secilit prej nesh, ajo skeme, ai gol…
Eksodi dhe kalimi i brezave vazhdoi, besimi ndaj De Biasit erdhi në shtim dhe ai nuk zhgënjeu. Atëherë kur më pak e prisnim, atëherë kur mbështetja sa po vinte e zbehej, Kombëtarja bëri atë që edhe me optimisti nuk e thoshte dot para 7 shtatorit 2014. Një fitore me Portugalinë e Ronaldos na ndezi. Dhe De Biasi bëri atë që jam i sigurt që asnjë trajner nuk do t’ia dilte: uli euforinë e shqiptarit! E besoni, apo jo? Pastaj dihet si shkoi ajo fushate eliminatoresh, ai kualifikim drithërues, Shqiperia në skenën e madhe ndërkombëtare!
Tashmë kishim fizionominë tonë, të gjithë tashmë i druheshin bunkerit që ngrinte “Ganiu”, si e kishim pagëzuar në Shqipëri. E provoi mirë Franca, edhe pse në fund i buzëqeshi fati, e provoi Rumania me mirë se kushdo, daneze,portugeze e armene.
Dhe atëherë kur mund të largohej e mund te shkonte kudo, qëndroi për të vazhduar një rrugëtim që vetëm ai besonte se mund ta çonte kaq larg. Nisi fushatën e tretë eliminatore, rekord për një trajner të huaj me kombëtaren tonë! Mbase në këto eliminatore patëm probleme, por jo tërësisht për faj të tij. Ç’mund t’i bënte ai Deniz Aytekinit? Ç’mund t’i bënte ai kasaphanës me dëmtime para ndeshjes me Italinë? Veç këtyre problemeve të pakontrollueshme, iu desh të merrej me mosbesimin dhe përbuzjen e një federate që përfitoi nga ai sa nga asnjë trajner, apo të dëgjonte dhe ankesat e lojtareve që i solli vete ne kombëtare dhe jo në pak raste nuk kanë bindur me lojë, sidomos ne ndeshjet “big”. E në gjithë këtë vorbull goditet edhe në Luksemburg dhe federata, inatçorët, të bezdisurit me të “fërkojnë duart”.Mund ta shkarkonim pa lavdi trajnerin më të lavdishëm që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Pritëm vetëm kartën e fundit, Izraelin. Por ai dhe grupi i tij i lojtareve, beniaminët të cilëve u dha staturën e tij, ata që i mbështeti dhe i forcoi psikologjikisht në çdo kohë, ua prishën planet. Buzëqeshja e fundit, edhe pse e hidhur, i takon Giannit. I trajtuar si mos më keq këto muaj, i tradhtuar nga federata, bashkëpunëtoret dhe ndonjëherë dhe nga publiku, ai u tregoi dhe njëherë pse e deshëm aq shume një vit më parë. E hodhëm përtokë si copë te vjetruar, diçka që nuk e meritonte kurrë. Ky është mëkati që nuk do ta lajmë dot. E vetmja gjë që mund të themi sot, duke reflektuar për ç’kemi bërë, është të themi, na fal Gianni!