Myler pati 4 oferta, por Bajerni i refuzoi

Tri skuadra angleze dhe Juventusi shprehën interes në verë. Ançeloti nuk ka besim te 27-vjeçari, por e gjithë Gjermania e mbështet

Tomas Myler po vuan shumë. Kampioni i botës vazhdon të jetë titullar i padiskutueshëm në kombëtaren gjermane, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë te Bajerni. Trajneri Karlo Ançeloti nuk i jep vendin e titullarit në ndeshje të rëndësishme (duke iu referuar sezonit të kaluar) dhe madje as në ndeshje normale (si ajo me Verder Bremenin këtë sezon). Bajerni rrezikon ta humbasë 27-vjeçarin, sepse, sipas revistës “Sport Bild”, në verë Myler u kërkua nga katër klube, tri prej të cilave nga Anglia. Bëhet fjalë për Juventusin, Çelsin, Liverpulin dhe Arsenalin, të cilat që ishin gati për të nisur negociatat, por drejtuesit bavarezë refuzuan. Myler dihet se është shpirti i skuadrës, frymëzuesi i tifozëve dhe flamuri i klubit. Tek ai gjendet thuajse çdo tipar karakteristik bavarez dhe tek ai tifozët identifikohen.

Reagimet

“Myler luan gjithmonë”, deklaronte ish-trajneri i Bajernit, Luis van Gal, në vitin 2010, por gjithçka ka ndryshuar tashmë. Në vend të tij, në rolin e trekuartistit, janë provuar Tiago Alkantara, Hames Rodrigez dhe Arturo Vidal. Nga Federata Gjermane e Futbollit ka pasur reagime të shumta në mbështetje të mesfushori ofensiv, si Oliver Birhof dhe Sami Kedira, ashtu si edhe nga disa legjenda të futbollit gjerman, mes tyre Otmar Hicfeld dhe Lotar Mateus, por deri tani askush te Bajerni, përjashto drejtorin sportiv Hasan Salihamixhiç, nuk ka reaguar. Pra, është fjala për drejtuesit Rumenige e Hënes. “Sport Bild” e komenton këtë duke theksuar se kësaj dysheje nuk i ka ardhur mirë nga mënyra se si i merr vendimet Ançeloti. Ky i fundit, megjithatë, ka mbështetjen e klubit, sidomos për aspektet teknike, ku askush nuk ndërhyn. Pyetja që lind është kjo: duke marrë parasysh shitjet spektakolare të verës që lamë pas dhe ofertat e shumta, mos vallë Myler do të tentojë largimin?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *