MVP Grezda si Ronaldo: kërcënon Skocinë dhe ëndërron titullin

Dy gola dhe një assist. “Lojtari më i mirë i ndeshjes” për Rejnxhërs dhe i shndërruar në idhullin e ri të tifozëve të skuadrës. Për “Zona Gol” në “SuperSport”, Eros Grezda tregoi emocionet e golave të parë në elitën e futbollit skocez, vlerësimet e legjendës Stiven Xherard, ëndrrën për të triumfuar, por edhe kërcënimin që u ka bërë shokëve te Skocia: “Do t’ju shënoj në Shkodër!”.

Golat – “Hyrja në zonë në golin e parë nuk ishte si Mesi, por si Ronaldo. Ndjesia ishte krejt ndryshe nga golat e tjerë. Kur luajmë në shtëpi kemi 50 mijë tifozë dhe ndjesia ishte e pabesueshme. Menjëherë pas golit të parë u lirova dhe kjo dukej në fushë. Fitova besimin e tifozëve dhe trajnerit dhe tani do të jetë më e lehtë për mua”.

Kombëtarja – “Është shumë e rëndësishme të shënosh, sepse fiton besim. Do të vij edhe më mirë në Kombëtare. Kam marrë me tepër minuta në këmbë. Ndryshe nga hera e fundit, gjërat kanë ndryshuar dhe do ti shfrytëzoj këto minuta që kam marrë në fushë me Rejnxhërs”.

Skocia – “Gjithë javën kemi diskutuar me të gjithë shokët skocezë që kam në ekip, sidomos me portierin. U kam thënë gjatë gjithë kësaj kohe që do ti shënoj edhe Skocisë dhe shpresoj që kjo të realizohet në datën 17”.

Goleadë – “Do të jetë shumë e vështirë të shënojmë katër gola, por ne do të hyjmë në fushë për të fituar dhe të shpresojmë të realizojmë sa më tepër”.

Panuçi – “Nuk kam marrë asnjë mesazh, përveç ndihmës-trajnerit të Kombëtares. Nga të tjerët jo, por do të shihemi në Shqipëri pas pak orësh dhe kështu që do të kenë mundësi të më përgëzojnë”.

Ambientimi – “Jam i ambientuar me jetën dhe futbollin skocez. Ishte vetëm çështje kohe”.

Xherard – “Më përgëzoi shumë pas ndeshjes. Sa herë mbaron një takim, ne bejmë një analizë dhjetë minutësh. U shpreh shumë mirë për mua, sepse u shpalla edhe ‘Lojtari më i mirë’ i ndeshjes. Ndihem shumë mirë dhe tani vij me më tepër optimizëm në Kombëtare”.

Titulli – “Xherard ka thënë që kemi vetëm një synim në kampionat: që të shpallemi kampionë. Pas barazimit të Sëlltik kemi një mundësi mjaft të mirë. Do të luajmë kundër atyre në shtëpi dhe shanset ekzistojnë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *