Mesfushori nga Vushtrria është një nga afrimet e shumta të Kamzës, por e njeh mjaft mirë Superiore: “Objektivi? Ndeshja e radhës”
Vladimir Prenga
Kamza ka mbërritur në Ohër, aty ku do të zhvillojë fazën përgatitore për dy javë nën urdhrat e trajnerit Ramadan Ndreu. Nga vjet skuadra ka ndryshuar shumë, teksa janë afruar lojtarë me eksperiencë dhe që e njohin mirë Superioren. Një prej tyre është mesfushorit Argjend Mustafa, i cili vjet e nisi sezonin te Tirana, por për shkak të një dëmtimi nuk mundi as të luajë, derisa klubi bardheblu prishi kontratën me mesfushorin, i cili u rikthye në Kosovë, duke luajtur me klubin e qytetit të tij, Vushtrrinë. Trajneri Ndreu e njeh mirë atë, pasi e ka stërvitur te skuadra e Laçit më parë dhe vendosi t’i bëjë një vend në ekipin e tij, pasi beson te cilësitë e mesfushorit. Në një bisedë për “Sport Ekspres”, Mustafa nga Ohri tregon objektivat personalë dhe dëshirën për t’u rikthyer ai i mëparshmi. “Iu përgjigja pozitivisht ftesës së Kamzës në momentin që shfaqi interes për mua. Patëm një bisedë me drejtuesit dhe që në fillim ramë dakord parimisht dhe më pas mbeten disa detaje të vogla dhe unë firmosa. Kam pasur oferta edhe në Kosovë, por dëshira ime ishte që të kthehesha në Superiore. Kamza është një mundësi e mirë për mua dhe lëvizjet që po bënin në merkato më bindën edhe mua që t’i bashkëngjitem kësaj skuadre. Dua të rifitoj formën e dikurshme dhe të kap maksimumin tim, pasi vjet nuk është se gjërat më shkuan mirë, për shkak të një dëmtimi, por gjatë pjesës së dytë të sezonit luajta rregullisht në Kosovë dhe ajo periudhë më ka ndihmuar shumë. Tashmë mendoj për sezonin e ri me Kamzën”, shprehet fillimisht mesfushori, që më pas flet edhe për objektivat me klubin e ri. “Kampionati është shumë i fortë dhe të gjithë e dimë. Ne jemi një skuadër e re, e formuar gjatë kësaj vere, por kemi brenda saj futbollistë që për vite të tëra kanë luajtur në elitë, ndaj them se të gjithë e njohin kampionatin. Fillimisht na duhet ta marrim pikët e nevojshme për të mos rrezikuar zonën e ftohtë. Për ne objektivi do të jetë ndeshja e radhës dhe do kërkojmë që deri në fund të marrim sa më shumë pikë. Normalisht dëshira jonë është që të renditemi sa më lart, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe gradualisht të rritemi e të marrim rezultatet pozitive. Kam besim se do të bëjmë një sezon të mirë”, përfundoi Mustafa, i cili më parë ka luajtur në Superiore me Besën, Partizanin dhe Laçin.