Murinjo “zjarr”: Kam skuadër mbushur me frikacakë, Matiç ishull

Trajneri i Mançester Junajtid, Zhoze Murinjo, ka dy ditë që lëshon deklarata shumë të forta në konferencat për shtyp dhe e njëjta gjë ndodhi dje, pas ndeshjes kundër Brajtonit, edhe pse erdhi kualifikimi për në gjysmëfinale në Kupën FA. “Nuk jam i lumtur, mungonte personaliteti, klasi, dëshira, te shumë lojtarë”, u shpreh Murinjo, i cili e pranon se kritikat e tij ndaj skuadrës mund të bëjnë që disa lojtarë të humbasin dëshirën dhe të mos jenë më pro trajnerit.

“Po, është një rrezik, por për mua pa presion nuk paraqitesh mirë. Çfarë do humbas, gjithsesi? Lojtarët që janë cilësorë dhe kanë personalitet, do mbijetojnë, në fund të fundit. Shihni MekTominej, është vetëm 21 vjeç, nuk luajti aspak mirë. I fola në mënyrë individuale në dhomat e zhveshjes, por nuk e kritikova, i thashë që luajti shumë keq, por që bëri gjërat bazë që duhej të bënte një futbollist”.

Për trajnerin portugez, disa lojtarë kanë frikë nga fanella e Mançester Junajtid: “Duhet ruajtur balanca emocionale për të luajtur me atë fanellë, është shumë e rëndë, por m’u duk se disa lojtarë dëshironin që t’i zëvendësoja”.

Matiç ishte i vetmi lojtar që mori lëvdata: “Matiç ishte një ishull personaliteti dhe cilësie, ndërsa disa të tjerë kishin frikë të luanin. Nuk do flas më shumë, por kur dielli shkëlqen, gjithçka shkon mbarë, të gjithë fitojmë, jemi të lumtur dhe qeshim. Kur gjërat shkojnë keq, kur është ftohtë dhe errësirë, jo të gjithë kanë besim në vetvete dhe personalitet për të luajtur futboll. Në fushë duhet të thuash ‘Ma jep topin, dua të luaj’, jo ta prekësh një herë në 5 minuta, atë e bën kushdo”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *