Zhoze Murinjo di gjithnjë si të tërheqë vëmendjen dhe të krijojë lajm, pak rëndësi ka çfarë thotë.
Trajneri i Mançester Junajtid para ndeshjes së djeshme kundër Benfikës “thumboi” tifozët e vet, duke i kritikuar për sjelljen e vet në stadium.
“Uroj që ta shijoni këtë ndeshjes më shumë sesa e shijuan disa prej jush ndeshjen kundër Totenhemit”, shkruante trajneri portugez në shënimin e tij të zakonshëm në revistën e klubit, shpërndarë në stadium para ndeshjes kundër Benfikës.
Mesazhi kishte për qëllim “zgjimin” e tifozëve, pasi atmosfera në Old Trafford nuk ka qenë fantastike këtë sezon dhe fundjavën e shkuar Lukaku u fishkëllye gjatë zëvendësimit, çka e zemëroi pa masa Murinjon. Junajtid po lufton për titull dhe po ecën shumë mirë në Champions, por duket se tifozët jetojnë ende me epokën legjendare të Aleks Fergusonit.