Zhoze Murinjo, trajneri portugez i Mançester Junajtid, e ka përfshirë Kristiano Ronaldon në grupin e më të mëdhenjve të futbollit, me emra si Maradona, Best, Pele, Eusebio e Mesi.
“Fëmijët e mi nuk e kanë parë të luajnë Pelen, por e dinë kush është. Pas 40 vitesh, fëmijët do e dinë kush është Kristiano. Është një nga ata që mbeten përgjithmonë në histori”, u shpreh Murinjo për “France Football”, gjatë ceremonisë së dhënies së Topit të Artë Ronaldos.
Murinjo e Ronaldo kanë punuar së bashku te Reali në vitet 2012-2013, duke fituar disa trofe, por duke pasur edhe disa fërkime, që trajneri i mohon: “Është diçka që bën pjesë në punën time dhe nuk duhet ta tregoj publikisht. Janë shkruar e thënë shumë gjëra false ose të ekzagjeruara. E vetmja gjë që mund të them është se nuk kam asnjë problem personal me Ronaldon dhe besoj se edhe ai ndien të njëjtën gjë. Kishim një marrëdhënie të mirë trajner-lojtar, jo baba-fëmijë, apo vëlla i madh-vëlla i vogël. Na bashkonte dëshira për të fituar dhe kujdesi për detajet. Mendoj se në periudhën që punuam së bashku, ai u përmirësua si futbollist me mua dhe unë u përmirësova si trajner me të. Kam kujtime mjaft të mira prej tij, më i miri ishte goli i titullit në prill 2012, kur Ronaldo shënoi golin e fitores 2-1 ndaj Barcelonës në Kamp Nou. Na duhej barazimi dhe ai shënoi golin e fitores së madhe, gol për përjetësinë”.