“Murinjo më befasoi, ishte shumë modest”! Ernest Gjoka tregon takimin me trajnerin portugez: Na vlerësoi shumë

Trajneri i Shkëndijës, Ernest Gjoka ishte i ftuar në emisionin “Fair Play në Syri TV, e udhëhequr nga moderatorja e njohur Enkelejda Zeko. Përveç temave të hapura nga emisioni, Gjoka foli dhe mbi ndeshjen Shkëndija-Tottenham që përfundoi me fitoren e anglezëve. Pavarësisht se skuadra shqiptare barazoi shifrat në 1-1, cilësitë e dukshme të lojtarëve bëri që te pësonin menjëherë golin e dytë. Gjithsesi Ernest Gjoka ishte i lumtur për performancën e djemve të tij duke theksuar se kjo është një mundësi më e mirë për ekipin të mësojë se si duhet të luajë në kualifikueset e tjera.

“Ishte një ndeshje shumë e mirë nga ana jonë pasi përballë kishim një skuadër të madhe me një ndër trajnerët më të mirë në botë. Eliminimi ishte i pamundur. Dukej qartë potenciali i skuadrës londineze pasi cilësitë e futbollistëve në fushë bënin diferencën. Por pavarësisht humbjes dhe eliminimit, Shkëndija doli e fituar pasi mori një imazh të mirë. Gjithashtu fitoi përvojë se si duhet të luajë ndaj një klubi të madh pse jo edhe të tentojë në të ardhmen kualifikimin”,- u shpreh 50 vjeçari.

Gjithashtu ai tregoi dhe për momentin kur bisedoi me “njeriun special”, Jose Murinjo. Sipas tij, portugezi ndryshon komplet nga pamja në televizor, pasi ishte njeri mjaft i thjeshtë. “Faktikisht bëmë disa takime jashtë ambienteve të klubit. Mund të them që Mourinho më ka befasuar pasi ishte një njeri shumë i thjeshtë dhe modest në maksimum. Na vlerësoi shumë si skuadër dhe nuk kishte komplekse. Për futbollin shqiptar nuk biseduam”, u shpreh Gjoka. /SportEkspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *