Murinjo, ‘breshëri’ ankesash pa nisur sezoni

Zhoze Murinjo është një ndër trajnerët që ankohet më shumë në botën e futbollit, përveçse ndër më fitimtarët.

Këto ditë Mançester Junajtid është transferuar në Los Anxheles për pjesën e parë të fazës përgatitore dhe natyrisht për disa miqësore që vlejnë miliona për klubin, por duket se trajneri portugez më shumë e ka mendjen te fakti që humbi ceremoninë e diplomimit të vajzës së vet.

“Ndoshta e kuptoni që jetët tona kanë edhe momente dëshpërimi, pafuqie për të ndryshuar diçka dhe një prej tyre është mosqenia në ceremoninë e diplomimit të vajzës sime. Por e tillë është puna që bëj”, tha Murinjo, i cili në fakt nuk kishte filluar ende të ankohej, sepse më pas ishte “furtunë” për 13 minuta, duke u marrë me mungesën e titullarëve dhe me ndikimin te përgatitjet për sezonin e ri.

Në fakt, Murinjo nuk ankohet kot, sepse 9 futbollistë do të mungojnë totalisht në përgatitjet amerikane, ndërsa Matiç, De Gea dhe mesfushori i sapoblerë Fred do të bashkohen me ekipin javën e ardhshme. Ndërkaq, Aleksis Sançez nuk ka shkuar dot në Amerikë për probleme me vizën dhe blerja e çuditshme verore, Diogo Dalot, do të mungojë deri në shtator për dëmtim.

“Pragsezoni është shumë i keq, duhet ta them këtë. E vetmja gjë pozitive është që të rinjtë do kenë shansin fantastik që të stërviten me ne dhe të dinë ç’do të thotë të jesh lojtar i ekipit të parë te Mançester Junajtid. Javën e ardhshme vijnë De Gea, Matiç e Fred, por gjithçka tjetër po shkon keq. Më pas do të kthehemi dhe do të nisim kampionatin”.

“Jam i shqetësuar. Duhet të jem i shqetësuar, sepse nuk po stërvit një ekip të plotë dhe do të debutojmë në Premier Ligë pa shumë lojtarë. Do të duhet të bëjmë maksimumin me ata lojtarë që kemi, ndoshta është lajm i mirë për Luk Sho, Erik Beili, Andreas Pereira”.

As Aleksis Sançez nuk do të pajiset dot në kohë për turneun amerikan, që nis me miqësoren kundër meksikanëve të Klub Amerikas sot pas mesnate (me orën tonë), ndërsa më pas e kanë radhën miqësoret me San Hoze të Jahmir Hykës, Milan, Liverpul e Real Madrid.

Po merkatoja? Murinjo ul entuziazmin: “Nuk do të them që do vijë apo nuk do vijë ndonjë lojtar i ri. Nuk e di, realisht. Fred merr vendin e Majkëll Karik në ekip, kaq për momentin”.

Pas pak javësh Murinjo do të ketë në dispozicion edhe kampionin e ri të botës, Pol Pogba, i cili te Franca ishte shumë herë më mirë se te Junajtid: “Diçka fantastike, kampion që në pjesëmarrjen e parë në Botëror. Franca është ekip i ri, do të luajnë gjatë së bashku. Shpresoj që Pogba ta kuptojë pse luajti aq mirë. Kjo është çështja në lidhje me paraqitjen e tij dhe kontributin që dha. Duhet ta kuptojë pse ishte aq mirë në pjesën e dytë të kompeticionit. Në finale ai ishte brilant”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *