Valentino Murataj, ballshioti që ka luajtur edhe me Dinamon, është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Bylisit. Anësori i gëzohet faktit që skuadra e qytetit të tij po rikthehet në Superiore, por në deklaratën e dhënë për SportEkspres.com thekson se ende nuk është mbyllur asgjë.
Gjashtë pikët diferencë me Besën nuk sigurojnë asgjë dhe Murataj deklaron: “Ende janë edhe katër ndeshje deri në mbyllje të kampionatit. Në tre ndeshjet tona do kemi të njëjtin seriozitet deri në fund. Të gjitha ndeshjet kanë vlerën e tri pikëve dhe kështu që të gjithë kundërshtarët do kenë vlerësim maksimal nga ana jonë. Skuadrës i them që të jemi me këmbë në tokë, sepse jemi në lojë. Kemi gjashtë muaj me fitore, e kështu duhet të vazhdojmë”.
Kapiteni i Bylisit, para ndeshjes me Orikun në transfertë shprehet se i pret një ndeshje e vështirë. Gjithsesi objektivi është ai i dituri, për tre pikët. “Në Orikum shkojmë me synimin për fitore. Këtë sfidë duhet ta kalojmë me sukses, pa u nisur nga pozicioni që ka në renditje ky kundërshtar. Natyrisht që do të jetë një transfertë e vështirë dhe ne e vlerësojmë këtë ekip. Duhet të japim më të mirën tonë në fushën e lojës, por pa eufori”, përfundon futbollisti i Bylisit, Valentino Murataj.
AGRON KAJA