Shqipëria ka luajtur sot ndeshjen e parë miqësore për muajin qershor. Kuqezinjtë kanë dalë të pamposhtur nga Uellsi, ku kanë barazuar në shifrat 0-0. Ky test miqësor përfundon me përshtypjet më të mira për mbrojtjen, e cila tregon lartësinë e duhur përgjatë 90 minutave dhe nuk i jep aspak mundësi kundërshtarëve të kërcënojnë portën. Në përfundim të takimit, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport”.
Balaj: “Në pjesë të parë bëmë presing lart dhe ishim më afër portës kundërshtare. Edhe rastet i kishim në pjesë të parë. Në pjesë të dytë ndryshuam pak taktikë në varësi të kundërshtarit, zëvendësimeve që ata bënë. Na vunë në vështirësi dhe u detyruam të mbronim me më shumë forca. Dhe ishte e vështirë pastaj të dilnim në portën e kundërshtarit.
Mund të them që punuam shumë, kështu që shpenzuam shumë energji. Të tregohej Bare më altruist? Është moment i ndeshjes. Gjithsecili mundohet të bëjë zgjedhjen më të mirë dhe në atë moment Bare mendoi ashtu. Mund të them që punuam shumë si ekip. Mbrojtëm të gjithë mirë si ekip. Po të shënonim do merrte rrjedhë tjetër. Me kundërshtar të nivelit të tillë nuk është e lehtë të dalësh shumë herë përpara portës“.
Kumbulla: “Ishte një ndeshje e vështirë. Por besoj se luajtëm mirë në anën mbrojtëse. Në anën ofensive kemi pasur një shans. Kemi gabuar aty, por s‘ka rëndësi sepse kemi luajtur shumë mirë. Besoj se do përmirësojmë anën taktike. Ndeshja nga ndeshje do përmirësohemi”.
Reja: “Më pëlqeu shumë sjellja e skuadrës. Erdhëm me dëshirë të madhe për të treguar karakterin tonë. Vuajtëm në pjesën e dytë sepse futën një sulmues shumë të fortë fizikisht. Në pjesën mbrojtëse luajtëm mirë. Duhet të marrim parasysh faktin se Uellsi është një skuadër shumë e fortë. Duhet të ndryshojmë sjelljen. Luajmë shumë mirë në mbrojtje, por duhet të ndryshojmë diçka në kundërsulm, të jemi më të shpejtë. Por rezultati mbetet pozitiv, së bashku me paraqitjen.
Seferi kishte pak hapësira por sakrifikoi shumë. Balaj luajti mirë pjesën e parë. Manaj kur ka topin është shumë i zoti, është një nga sulmuesit më të mirë që kemi. Duhet të nënvijëzojmë edhe faktin se Selmani ishte debutues dhe mund të kishte emocione luajti shumë mirë. Mund të themi që gjendëm një lojtar të ri që mund të na shërbejë shumë në perspektivë.
Incidenti me rënien në tokë? Manaj më erdhi përsipër dhe më rrëzoi përtokë. Në apsektin fizik tregova një reagim të madh. Ishte një incident loje, kështu që edhe misteri është pjesë e lojës. Janë gjëra që ndodhin gjatë një ndeshjeje. Kemi një skuadër shumë bujare”.
Abrashi: “Ishte një ndeshje me luftim për veten dhe për ekipin. Mundeshim të bënim më tepër. Duhej më tepër. Manaj e kishte shansin tonë. U lodhëm pak në pjesën e dytë. Kemi gjëra të mira por edhe negative që duhet ti përmirësojmë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/