Mungojnë në stadium, por tifozët e Anorthosis i bëjnë “presion” Laçit

Shorti që i vendosi përballë Anorthosis në turin e parë kualifikues të Europa League nuk ishte më i lehti i mundshëm për Laçin. Një kundërshtar me shumë emër në Qipro, pavarësisht se në vitet e fundit kanë munguar në kupat e Europës.

Një situatë e ndikuar nga problemet financiare dhe falimentimi, me klubin që gjithsesi tani duket se është rikthyer, duke ndërtuar një skuadër që në merkato vlen mbi 11 milionë euro. Nëse mungesa e eksperiencës së Anorthosis në Europë mund të konsiderohet si një avantazh, kualiteti i kontingjentit nuk mund të diskutohet.

Një tjetër avantazh për kurbinasit përballë skuadrës që tashmë selinë qëndrore e ka në Larnaka është fakti se Anorthosis është e dënuar nga UEFA, për të luajtur dy ndeshje pa praninë e tifozëve. E megjithatë, në stërvitjen përpara duelit të së enjtes, mbështetësit kanë treguar se mbeten pranë skuadrës.

Një numër i konsiderueshëm tifozësh ishin të pranishëm në seancën e zhvilluar në stadiumin “Antonis Papadopulos”, duke e shoqëruar ekipin me këngë, brohoritje, ndërsa ndezën edhe flakadanë. Një mënyrë për të trembur Laçin dhe për të treguar që edhe pse jo fizikisht në stadium, ata do të jenë aty gjatë ndeshjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *