Fraktura në dorë e detyroi të qëndronte jashtë Kombëtares, edhe pse ishte një prej lojtarëve të përzgjedhur nga Kristian Panuçi për dy ndeshjet e fundit të vitit 2018, ndaj Skocisë në Ligën e Kombeve dhe në miqësoren me Uellsin. Pas tre javëve pushim, Ylber Ramadani u kthye në fushën e lojës.
Mesfushori kuqezi u aktivizua në ndeshjen ku skuadra e tij, Vejle barazoi 1-1 në shtëpi përballë Aalborg. Me dorën ende në allci, Ramadani qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në fushë. Gjendja e lojtarit është përmirësuar dhe tashmë ai mund të vazhdojë të japë kontributin për ekipin.
Pas rikthimit, Ramadani kishte edhe një mesazh në profilin e tij zyrtar në “facebook”. “I lumtur për rikthimin pas dëmtimit. Faleminderit Zotit”, shkruante mesfushori 22-vjeçar i Kombëtares.