“Mund të kthehet dramë për ne, kishim një rast të dyshimtë në pjesën e parë“, Kapllani shpjegon golin e parë: I thashë lojtarëve, kujdes nga skemat e Partizanit

Partizani ka marrë tre pikët në transfertën e sotme kundër Erzenit. Të kuqtë kanë mposhtur me shifrat 0-2 Erzenin, duke shpresuar në një hap fals të Tiranës për të ngushtuar diferencat në renditje. Viktor Da Silva zhbllokoi rezultatin në minutën e 59 të takimit. Skema e Partizanit nga goditja e dënimit finalizohet nga sulmuesi brazilian, i cili e ndal më pas topin në rrjetë.

Kur ndeshja po hynte në minutat e fundit të kohës së rregullt, Eljon Sota ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe lë lojën përpara kohe. Erzeni nis të marrë më tepër iniciativa, por kur të gjithë prisnin një gol prej tyre Partizani shënon golin e qetësisë. Ëngëll Hoti hyn nga stoli dhe në minutën e 86 shkund rrjetën nga jashtë zone. Erzeni ngushton shifrat me anë të një 11 metërshi në sekondat e fundit të lojës. Kahrimanoviçi fitoi duelin me Rexhepin, por pa mund të ndryshojë fatin e takimit. Partizani merr kështu tre pikët, ndërsa Erzeni vazhdon të jetë në rënie të lirë drejt zonës së ftohtë të renditjes. Tashmë shijakasit gjenden vetëm 5 pikë larg vendin të 9 në tabelën e klasifikimit. Më poshtë mund të ndiqni edhe deklaratat e protagonistëve për emisionin “Ti Bo Gol” në “Oversport”.

Kapllani (Erzeni): “Nuk është dramë që të fitojë Partizani, por mendoj që mund të kthehet dramë për ne. Tani është fundi i kampionatit. Kur ishte loja 1-0, ishte një rast i dyshimtë për Erzenin. Aty mund të merrte rrjedhë tjetër ndeshja. Më vjen keq, sepse pas disa ndeshjeve jo të mira me lojë, kemi luajtur si të barabartë me Partiznain. Prisnim diçka më tepër se sa kjo humbje 2-1. Skuadra sot në krahasim me ndeshjet fundit ka qenë me mirë, ka vrapuar më shumë. Ishte një shpërqendrim te goli i parë. Partizani i provon gjithmonë këto skema. Madje edhe lojtarëve po u thonim: “Kujdes, mund të jetë skemë”. Vazhdojmë atë lu.ftën tonë që e kemi nisur që në fillim, mbijetesën”.

Kolela (Partizani): “Nuk dua të flas për rastin në fund të ndeshjes. Është e kotë të flas. Presion Tiranës me këtë fitore? Nuk më intereson për asgjë. Ne fitojmë dhe Tirana të bëjë atë që dëshiron të bëjë. Do i marrim ndeshjet një nga një. Skuadra bëri atë që duhet të bënte. Herë luan mirë, herë nuk luan mirë. Por sot jam i kënaqur. Në nuk gabohem, sepse nuk jam i mirë me statistikat, në 12 ndeshjet e fundit kemi humbur vetëm 1 ndeshje. Nuk kam çfarë t’i kërkoj më shumë skuadrës. Vazhdimësia është. Në ndeshjen me Laçin e pamë të gjithë se çfarë ndodhi. Nuk do ta shoh ndeshjen e Tiranës”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *