Olsi Avdiaj
Për ata që qëndrojnë afër ambientit bardheblu, prej fillimit të epokës Ze Maria u ka rënë në sy një fakt interesant. Në ambientin e Tiranës mungon një personazh. Një emër i njohur dhe i madh i bardhebluve në këto 15 vitet e fundit. Në fillim si lojtar dhe më pas trajner dhe zyrtar. ai që ka shënuar emrin e tij në librin e historisë së Tiranës është Devi Muka. Një “jashtëtokësor” në fushë, që sezonet e fundit ka qenë edhe drejtor i klubit. Por me prezantimin e trajnerit dhe stafit të ri të skuadrës, ish-drejtori Devi Muka nuk është parë më në ambientet sportive bardheblu dhe as në ndeshjet e Tiranës në sezonin e ri. Muka një mik personal i presidentit Refik Halili, nuk është më “de facto” në ambientin e Tiranës, edhe pse dy sezonet e fundit ka qenë një nga më aktivët në merkato. Ky largim i tij ka nisur që me ardhjen e trajnerëve të rinj të skuadrës e drejtori. Pak nga pak Muka është larguar dhe tani nuk është pjesë e bardhebluve, ndonëse zyrtarisht mund të jetë aty. Shkaqet e largimit janë nga më të shumtat, por në ambientet bardheblu flitet për një ftohje të presidentit me Devi Mukën. Po kështu edhe sezoni i fundit ishte një goditje e madhe për Devin që gjithsesi nuk e ka përtypur atë që ndodhi. Shkurt, edhe pse për Devin gjithmonë ka vend te bardheblutë fakti është kokëfortë. “Vlonjati fluturues” është mënjanuar nga Tirana…
Dy shitjet e Tiranës, asnjë sekondë në fushë
Ikën nga Tirana me shumë bujë e duke i dhënë shumë para klubit bardheblu, por ende nuk kanë luajtur një minutë. Bëhet fjalë për Ruben Akuanë dhe Mervejl Ndokitin. I pari shkoi në Linz dhe më pas në Sllovaki te DAC-i, dhe i dyti në Spanjë te Gedafe. Gjithsesi, asnjëri deri në këtë moment që flasim, nuk ka luajtur futboll. Akua nuk rezulton me ekipin e parë të DAC-it ndonëse duhet të aktivizohej si titullar. Futbollisti nuk është as në ekipin e dytë, por gjithsesi, ganezi nuk ka luajtur asnjë minutë në Sllovaki. E njëjta histori edhe për Merveil Ndokitin. Është federuar me Getafe B, por ende nuk ka luajtur një sfidë në Spanjë edhe pse ekipi i tij është në javën e nëntë të kampionatit. Kongolezi ka pasur probleme me dokumentacionin dhe në ditët në vazhdim do të jetë në Spanjë.