“Muçi? Vendosim ne për të, jo ju që pyesni”, Egbo vlerëson Flamurtarin: Ndeshje e fituar për ju, për ne është e vështirë

Tirana do të përballet ditën e nesërme me Flamurtarin, ndaj të cilit nuk tolerohen hapa fals. Megjithëse të rënë nga kategoria dhe në dukje një pengesë e lehtë, kuqezinjtë e kanë treguar së fundi se dinë të hapin telashe, prandaj Egbo kërkon vlerësim maksimal për vlonjatët. Në konferencën për shtyp të dhënë ditën e sotme, trajneri i Tiranës tregon çfarë i ka kërkuar lojtarëve për përballjen e nesërme.

Ndërkohë një temë diskutimi ka qenë këto kohë edhe talenti Ernest Muçi. Sa herë që i janë dhënë hapësia në fushën e lojës, sulmuesi bardheblu e ka shpërblyer me gol. Diçka kjo që i ka shtyrë të gjithë të pyesin përse nuk i jepen më tepër minuta një lojtari të tillë. E për këtë Egbo përgjigjet se është ai që vendos, pasi i stërvit çdo ditë futbollistët dhe e di se në ç’nivel janë.

“Ndeshje e fituar për ju, por është një nga ndeshjet më të vështira që mund të luaj një ekip pretendent. Edhe Flamurtari edhe Luftëtari, apo ekipet e tjera që janë poshtë, janë njësoj për ne si ato që janë në vend të dytë apo poshtë nesh. Ndeshja duhet të vlerësohet maksimalisht nga ekipi dhe lojtarët tanë. Do t’i marrim ndeshjet një nga një, e kemi vlerësuar maksimalisht dhe nuk e kemi luksin ta nënvlerësojmë apo të gabojmë. Përqendrim dhe të jemi pak të kujdesshëm, këto i kam kërkuar skuadrës. Duhet të rikuperojmë sa më shpejt dhe të jemi gati për ndeshjen e nesërme. Vlerësim dhe respekt maksimal për kundërshtarin.

Muçi? Gjithmonë ne shikojmë lojtarët që janë gati për çdo ndeshje. Çdo ndeshje ka specifikën e vet, ne i dimë se cilët lojtarë mund të jenë gati. Këtë ua kam shpjeguar shumë herë djemve. Cilësitë e Muçit i dimë dhe gjendjen e tij fizike. Po i japim minuta, po e merr veten. E kemi çuar te U-19 dhe Tirana B. Vendosim ne, jo juve që na pyesni. Ne i stërvitim lojtarët ditë për ditë, e dimë çfarë niveli janë dhe sa minuta mund të luajnë”, ka deklaruar Emanuel Egbo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *